Foto: KALLXO.com
Vrasja e policit në Zllatar, avokati i të akuzuarit Fatlum Mehmeti kërkon lirimin e tij nga paraburgimi
Avokati Labinot Buzuku, i cili është mbrojtësi i të pandehurit Fatlum Mehmeti, i cili po akuzohet se vrau me dashje eventuale policin Lirim Haxholli nga një distancë 70-80 cm, kërkoi sot nga Gjykata e Prishtinës që masa e paraburgimit të zëvendësohet me masën e arrestit shtëpiak.
“Konsiderojmë se tani janë plotësuar kushtet ligjore që të ndërpritet masa e paraburgimit, masë kjo tejet e rëndë dhe janë dëgjuar më shumë se 50% e dëshmitarëve. Kërkojmë t’i ndërpritet masa e paraburgimit dhe t’i zëvendësohet me masën e arrestit shtëpiak” – tha avokati Labinot Buzuku.
Mirëpo ky propozim i avokatit Buzuku u kundërshtua nga ana e prokurorit Arben Hoti, ndërsa lidhur me këtë trupi gjykues bëri të ditur se nuk do të vendosin lidhur me këtë meqenëse ka një kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë për të cilën do të vendosë Gjykata Supreme.
Lirim Haxholli, zyrtar policor, 27-vjeçar, kishte mbetur i vrarë sipas Prokurorisë nga arma zyrtare e kolegut të tij, Fatlum Mehmeti, në një aheng më 18.02.2022, ku kishin qenë të pranishëm mbi 10 zyrtarë policorë.
Paraprakisht seanca vazhdoi me dëshminë e dëshmitarit Arian Menxhiqi, i cili fillimisht u përball me pyetje nga ana e Prokurorisë.
Dëshmitari Arian Menxhiqi gjatë marrjes në pyetje nga Prokuroria tregoi se i ndjeri kishte qenë polic i gjeneratës 56 të Policisë së Kosovës dhe se me të kishin punuar bashkë në stacionin policor.
Në momentin e ngjarjes kritike dëshmitari rrëfeu se kishte qenë këmbë, mbështetur për mur dhe i ndjeri kishte qenë në anën e majtë të tij ndërsa i pandehuri kishte qenë afër tij në krahun e majtë.
Ndërsa distanca mes tij, të akuzuarit Fatlum Mehmeti dhe tani të ndjerit nuk i kujtohej.
Në natën kritike ai kishte konsumuar alkool mirëpo ai deklaroi se kishte pasur vetëdije të mjaftueshme për të kuptuar qartë se çfarë kishte ndodhur.
“A ke mujtë me pa të ndjerin dhe Fatlumin apo kishit një pengesë mes jush?“ – ishte njëra prej pyetjeve të radhës me të cilën u përball dëshmitari nga ana e Prokurorisë.
“Po, ka pasur mundësi që t’i shoh mirëpo me i dëgju më pak për shkak të zhurmës së muzikës”- deklaroi dëshmitari Menxhiqi.
Ndërsa në momentin e marrjes në pyetje nga ana e avokatit Labinot Buzuku, i cili e përballi me deklaratën e dhënë në Polici dhe Prokurori, pati kundërshtime nga Prokuroria sepse dëshmitari ishte i propozuar nga Prokuroria dhe sipas tij dëshmitari mund të pyetet vetëm rreth pyetjeve të konfirmimit apo mohimit.
Ky rast po trajtohet në përbërje të trupit gjykues Ertan Sejfulla kryetar dhe dy anëtarët Naser Foniqi dhe Sulltane Hoti.
Çka thuhet në aktakuzë?
Sipas dosjes së siguruar nga Kallxo.com, i akuzuari, pjesëtar i Policisë së Kosovës, i vetëdijshëm se manipulimi me armë paraqet rrezik, në prezencë të shumë personave e në ambient të mbyllur ka manipuluar me armën zyrtare.
I akuzuari Fatlum Mehmeti ngarkohet me veprën penale të vrasjes me dashje eventuale.
Çka nënkupton dashja eventuale sipas Kodit Penal?
“Personi vepron me dashje eventuale kur është i vetëdijshëm se pasoja e ndaluar mund të shkaktohet si rezultat i veprimit ose i mosveprimit të tij dhe ai pranon shkaktimin e saj” – thuhet në Kodin Penal.
Dënimi sipas Kodit Penal për kryerjen e kësaj vepre penale është jo më pak se pesë (5) vjet burgim.
Menjëherë pas rastit ishin arrestuar gjashtë zyrtarë policorë ndërsa të tjerët që ishin prezentë në vendin e incidentit ishin suspenduar nga puna.
Përveç arrestimeve dhe suspendimeve ishin sekuestruar edhe 14 armë zyrtare të policëve të cilët kishin qenë pjesë e ahengut.
Lidhur me këtë rast është ngritur edhe një aktakuzë ndaj 14 zyrtarëve policorë të cilit kishin qenë prezentë në momentin kur kishte ndodhur ngjarja e 18.02.2022, në fshatin Zllatar të komunës së Prishtinës.
Sipas aktakuzës, të pandehurit F. A., E. I., B. M., E. Th. dhe G. T., më 18.02.2022, rreth orës 22:00, në fshatin Zllatar të Prishtinës, në një vilë në këtë fshat, në të cilën kishin organizuar një aheng privat, jashtë detyrës zyrtare, kanë vepruar në kundërshtim me rregullat për autorizimet e Policisë dhe përdorimin e armës të parapara në Ligjin për Policinë.
Sipas aktakuzës, të njëjtit dyshohen se kanë shtënë me armë zyrtare duke përdorur municion jozyrtar, gjersa ishin në tarracën e vilës ku zhvillohej ahengu.
Me këtë, secili prej tyre individualisht sipas Prokurorisë e kanë kryer veprën penale – përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm, dhe shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm.
Ndërsa, të pandehurit A. B., Xh. B., A. M., A. A., A. Z., I. S., Rr. A., V. Rr. dhe A. M., nuk i kanë lajmëruar veprat penale të lartcekura, nuk i kanë raportuar të shtënat me armë zjarri të bëra nga kolegët e tyre-të pandehurit gjatë ahengut ku kanë qëndruar së bashku, andaj me këtë ata akuzohen se kanë kryer veprën penale – moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre.
Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat u vihen në barrë.