Vendi i ngjarjes nga plagosja e vrasja në Aktash, Foto Adelina Ahmeti/KALLXO.com

Vrasja e plagosja në lagjen 'Aktash' vazhdim i një konflikti që u regjistrua në mars të këtij viti, detaje nga aktakuza

Dy familje, Sekiraqa e Gashi po dyshohet se u përfshinë në ngjarjen e cila u regjistrua rreth orës 22:00 më 01.09.2024, në rrugën “Gazmend Zajmi” në lagjen Aktash në Prishtinë.

Siç e ka konfirmuar për KALLXO.com kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi, ngjarja dyshohet se është vazhdimësi e një rasti paraprak, më konkretisht e një konflikti që ka ndodhur muaj më parë.

Në këtë konflikt që kishte ndodhur në muajin mars të vitit 2024, Pajtim Gashi kishte mbetur i plagosur ndërsa i dyshuar për këtë ngjarje ishte Shkumbin Sekiraqa. Ky i fundit tashmë ka një aktakuzë e cila është ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 28.08.2024. 

KALLXO.com ka arritur që të sigurojë aktakuzën në të cilën jepen detaje të plagosjes që ka ndodhur në muajin mars 2024. Edhe në atë kohë dyshimet ishin për përfshirjen e të njëjtave familje. 

Shkumbin Sekiraqa, ndaj të cilit është ngritur aktakuzë për rastin e muajit mars 2024 është djali i Salih Sekiraqës. Ky i fundit është njëri nga personat e plagosur në gjuajtjet me armë në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë më 01.09.2024. 

Për Shkumbin Sekiraqën prokuroria kishte kërkuar që t’i vazhdohej masa e paraburgimit deri sa është ngritur edhe aktakuza ndaj tij. 

Shkumbin Sekiraqa akuzohet nga Prokuroria e Prishtinës se më 04.03.2024 kishte tentuar ta privojë nga jeta Pajtim Gashin. Ky i fundit mbeti i plagosur. 

“Rreth orës 10:00 në rrugën “Bedri Shala” në Prishtinë deri sa ishte duke lëvizur me një veturë të tipit “Audi” pronë e të pandehurit tjetër M.Haliti, ishte takuar me personin NN i cili lëvizste me një pickap, i pandehuri Shkumbin Sekiraqa për arsye të panjohura me dashje me qëllim që të privoj nga jeta të dëmtuarin Pajtim Gashi pas bisedës me NN personin i drejtohet me fjalt “paja shoq a po më njeh mu” ku më pas e sulmojnë fizikisht”- përshkruhet ngjarja e cila ndodhi më 04.03.2024. 

Dosja e prokurorisë përshkruan edhe se Shkumbin Sekiraqa kishte nxjerrë armën e zjarrit, kishte shtënë në drejtim të Pajtim Gashit e më pas e kishte goditur në kokë me kondakt të armës. 

“Me këto veprime i shkakton lëndime në kokë dhe një plagë në këmbën e djathtë, i dëmtuari (Pajtim Gashi) ka arrit të largohet nga vendi i ngjarjes, i pandehuri (Shkumbin Sekiraqa) ka vazhduar që të gjuaj në drejtim të tij”- përshkruhet tutje në aktakuzën që ka siguruar KALLXO.com. 

Me këto veprime Shkumbin Sekiraqa sipas prokurorisë ka kryer veprën penale të vrasjes në tentativë. 

E me të njëjtat veprime Sekiraqa dyshohet se kreu edhe veprën tjetër penale, atë të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm. Kjo pasi që i njëjti kishte përdorur armën e zjarrit në një vend publik dhe kishte rrezikuar edhe jetën e personave të tjerë që kishin qenë në rrugë. 

Një tjetër vepër penale që i ngarkohet Sekiraqës nga Prokuroria e Prishtinës është ajo e mbajtjes në pronësi, kontroll apo posedim të armës pa leje. 

Shkumbin Sekiraqa në polici në deklarimin e tij kishte mohuar përfshirjen e tij në rast. 

“Çka kam thënë në polici është e vërtetë dhe nuk kam tjetër çka të shtoj tani nuk dua të deklarohem më. Në polici ka deklaruar se nuk ka lidhje me rastin që ka ndodhur më datë 04.03.2024 dhe nuk e njeh të dëmtuarin Pajtim Gashi”- thuhet tutje në dosjen e prokurorisë. 

E Pajtim Gashi, i cili mbeti i plagosur në mars 2024, kishte deklaruar se në datën e lartëpërmendur ishte në afërsi të një biznesi familjar. 

“Ka ardhë një person me veturë të kuqe, personi më është ofru dhe më ka thënë “pse po më këqyrë” ka filluar të më shaj me fjalë banale “çka k… po më këqyrë”, i kam thënë nuk jam ka të këqyri o vlla po shko rrugës tande ai më ka thënë se je ka më këqyrë shtremtë, pas kësaj ka vazhdu me veturë, kah objekti teposhtë vetura e ka pas derën e hapur dhe pse ishte duke vozitur ai e mbajtje derën qelë, mandej pasi që është largu diku 15 metra e ka ndalë derën ka dalë nga vetura është nis në drejtim të tij nuk i ka parë asgjë në dorë dhe ka filluar prapë të shajë”- ka shpjeguar Pajtim Gashi në prokurori ngjarjen e marsit. 

Gashi kishte treguar për sulmin e më pas edhe për të shtënat me armë. 

“Me sa din ai ka shtënë 5-6 herë. Shkumbin Sekiraqën nuk e njeh nuk e ka njohur më parë dhe nuk ka pasur asnjëherë probleme me të. Në polici nuk ka arritur që ta identifiku Shkumbin Sekiraqën, Pajtim Gashi”- thuhet tutje në dosje. 

Vrasja e plagosja në Aktash

Kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi në një deklaratë për KALLXO.com nga vendi i ngjarjes më 02.09.2024 ka zbardhur të dhëna për ngjarjen. 

Ai theksoi se deri te ngjarja erdhi një rast i cili ishte raportuar muaj më parë. Fjala është për plagosjen e Pajtim Gashit në mars të vitit 2024. 

Përveç 5 të plagosurve që janë në Intensivë, që automatikisht llogariten të arrestuar, Policia ka ndaluar edhe një person tjetër, ndërsa janë në kërkim të së paku edhe dy personave të tjerë të dyshuar.

“Bashkë me prokurorin kujdestar, me krimteknikën, policët shtesë të angazhuar. Janë dy familje të cilat si pasojë e një mosmarrëveshje të mëhershme kanë qenë të përfshira edhe sot në ngjarje”- ka thënë Gashi.

“Këtu në vendin e ngjarjes minimum 3 persona kanë sulmuar me armë të gjata, ka nisur një shkrepje me armë – kanë mbetur të plagosur 5 persona dhe një person ka mbetur i vdekur” – tha Gashi.

“Në kërkim janë minimum dy persona të dyshuar, një ende nuk është i identifikuar” – shtoi ai.

Në këtë ngjarje një person ka mbetur i vdekur dhe pesë të tjerë janë plagosur. Personat e plagosur po trajtohen në QKUK.

Rasti dyshohet të ketë ndodhur rreth orës 22:00 të datës 01.09.2024 në rrugën “Gazmend Zajmi” në lagjen Aktash në Prishtinë.

KALLXO.com raportoi se breshëri plumbash janë shkrepur më 01.09.2024 në lagjen Aktash. Në disa pamje, të cilat i ka parë KALLXO.com, shihen dy persona me një motor me katër rrota deri sa gjuajnë në drejtim të një personi tjetër. 

Viktima i ishte kundërpëgjigjur sulmit me një armë të gjatë të tipit kallashnikov. I njëjti nga plagët e marra nga sulmi ka mbetur i vdekur në vendin e ngjarjes ndërsa vetëm disa orë më vonë trupi i tij ishte dërguar për obduksion. 

Një pjesë e rrugës “Gazmend Zajmi” edhe mëngjesin e datës 02.09.2024 ka qenë e mbyllur me shirita të policisë dhe nuk lejohej qarkullimi. Një numër i madh i provave janë evidentuar dhe të njëjtat kanë vazhduar të jenë në vendin e ngjarjes edhe në orët e mëngjesit të datës 02.09.2024.