Vrasja e pilotit në 'Luftën 10-ditore' të Sllovenisë vazhdon të shkaktojë polemika

Tridhjetë vjet më parë, në ditën e parë të luftës së Sllovenisë për pavarësi nga Jugosllavia, piloti i helikopterit Toni Mrlak u qëllua përpara se të ishte në gjendje të dezertonte dhe vdekja e tij që atëherë ka qenë temë mosmarrëveshjesh politike.

Më 27 qershor 1991, dita e parë e konfliktit të armatosur në Slloveni, dy helikopterë që fillimisht u përshkruan si “armik” u rrëzuan nga trupat sllovene.

Njëri u rrëzua mbi Ig, afër kryeqytetit Ljubljanë, dhe tjetri mbi Rozna Dolina, një vendbanim në pjesën jugperëndimore të kryeqytetit, ndërsa Sllovenia u bë e para nga gjashtë republikat jugosllave që u larguan zyrtarisht nga shteti federal.

Të dy helikopterët i përkisnin Ushtrisë Popullore Jugosllave, por ai që u rrëzua mbi Rozna Dolina, një Gazel SA-341, ishte i paarmatosur dhe po përdorej për të marrë bukë për ushtarët e Ushtrisë Popullore Jugosllave.

Helikopteri u rrëzua dhe u dogj dhe bukët u shpërndanë në rrugë. Si piloti, një slloven i quajtur Toni Mrlak, ashtu edhe bashkë-piloti i tij, Bojance Sibinovski, një maqedonas, vdiqën në vend.

E ashtuquajtura “Luftë dhjetë ditore” midis forcave të Mbrojtjes Territoriale Sllovene dhe Ushtrisë Popullore Jugosllave shpërtheu pasi Lubjana deklaroi pavarësinë dhe vazhdoi deri më 7 korrik 1991, kur u nënshkruan Marrëveshjet e Brijuni që përfunduan konfliktin.

Gjatë konfliktit, shumë ushtarë sllovenë lanë ushtrinë Popullore Jugosllave të përzierë etnikisht dhe iu bashkuan luftës për pavarësi të vendit të tyre. Më vonë doli se piloti i helikopterit Mrlak gjithashtu po planifikonte të largohej nga pala jugosllave, por u vra para se ta bënte këtë.

Sot, një monument në nder të Mrlak si një luftëtar për pavarësinë e Sllovenisë ndodhet në Rozna Dolina, edhe pse, gjatë 30 viteve të fundit, ka pasur shumë debate rreth rolit të tij, përfshirë përpjekjet e djathtë për ta portretizuar atë si një “agresor” kundër Sllovenisë.

Shumë vëzhgues janë të bindur se helikopteri i pilotuar nga Mrlak u rrëzua për qëllime propagande, në mënyrë që lidershipi ushtarak slloven të mund të tregonte se mund të luftonte me Ushtrinë e fuqishme Popullore Jugosllave dhe kështu të motivonte luftëtarët e tjerë sllovenë në luftën për pavarësi.

Familja e Mrlak luftoi për vite me radhë për ta vërtetuar këtë, dhe kunata e tij, aktorja e famshme sllovene Draga Potocnjak, madje shkroi një libër për këtë.

Duke përdorur retorikë teatrale, Potocnjak e krahasoi vdekjen e Mrlak me një tragjedi greke.

“Ai ishte një hero pozitiv, një njeri pozitiv i cili nuk duhej të kishte vdekur, por në një mënyrë apo në një tjetër, gjithçka u bë në një përpjekje për t’u siguruar që ai të vdiste”, tha Potocnjak për BIRN.

Toni Mrlak. Foto kortezi e Tomaz Mrlak.

“Ai po organizonte dezertimin e disa pilotëve”

“Toni Mrlak ishte – për ta përmbledhur me një fjali – një ushtar shumë i pazakontë. Ai adhuronte të fluturonte. Babai i tij ishte gjithashtu një pilot ushtarak”, tha Potocnjak.

Ajo e përshkroi atë si të zgjuar, shumë të guximshëm dhe i kushtuar të fliste me fjalë të thjeshta ndërsa komunikonte me eprorët e tij.

Potocnjak rindërtoi me përpikmëri ditën e vdekjes së tij në librin e saj, “Skrito Povelje” (“Komandë e fshehur”), i cili u botua në 2013. Ajo tha se iu deshën më shumë se pesë vjet për të mbledhur dokumentet e nevojshme dhe për të kryer më shumë se 120 intervista.

Ajo zbuloi se Mrlak vendosi të merrte përsipër detyrën e transportimit të bukës nga furra ushtarake në kazermat e Ushtrisë Popullore Jugosllave edhe pse fillimisht ishte menduar që këtë ta bënte një pilot më i ri.

Ajo gjithashtu vuri në dukje se për shkak se ai kishte bashkëpunuar me autoritetet sllovene që nga gushti 1990, ai ndihej i sigurt ta bënte këtë gjë.

“Ai vërtet nuk mendonte se ‘populli i tij’ (trupat sllovene), mund të hapte zjarr ndaj tij”, tha Potocnjak.

Helikopteri transportues Gazelle, i dizajnuar në Francë,  i prodhuar nga Jugosllavia, mund të përdoret si një mjet i lehtë sulmi, por ky në veçanti ishte dukshëm i paarmatosur.

Potocnjak tha se para vdekjes së tij, Mrlak po planifikonte të organizonte dezertimin në anën sllovene të pilotëve në tre helikopterë.

Lidhja e tij në Lubjanë ishte xhaxhai i tij Elo Rijavec, nga administrata logjistike e Ministrisë Sllovene të Mbrojtjes, dhe Jelko Kacin, i cili ishte Ministër i Informacionit gjatë konfliktit të vitit 1991 dhe tani është sekretar shtetëror i ngarkuar me koordinimin e vaksinimit kundër COVID-19.

Kacin, i cili ka folur rrallë publikisht për incidentin, konfirmoi për BIRN se këto marrëveshje ekzistonin, por që kontakti me Mrlak u ndërpre kur ai ndryshoi punë.

Vendi ku u përplas helikopteri i pilotuar nga Toni Mrlak më 27 qershor. Foto kortezi e Tomaz Mrlak.

“Pilot Mrlak po organizonte dezertimin e disa pilotëve nga ajo njësi… Unë negociova me të shumë më parë, para se të fillonte lufta, por kalova në një pozicion tjetër dhe njësia e Mrlak u zhvendos… kështu që pala jonë humbi kontaktin me ata”, tha Kacin.

Më 28 qershor 1991, një ditë pasi u rrëzua Mrlak, kolegët e tij Joze Kalan dhe Bogomir Sustar arritën atë që ai nuk mundi ta arrinte dot dhe kaluam në anën sllovene me dy helikopterë.

Sustar tha për BIRN se Mrlak i pyeti ata para luftës nëse ishin të gatshëm të bashkoheshin me Slloveninë nëse fillonte konflikti i armatosur.

“Imagjinoni sa shumë po rrezikonte ai! Ai mund të ishte raportuar nga ndonjë prej nesh”, tha Sustar.

Potocnjak dhe të tjerët që folën për BIRN pohojnë se rrëzimi i helikopterit Gazelle të Mrlak ishte i domosdoshëm që Mbrojtja Territoriale të prezantohej si një sukses dhe të motivonte luftëtarët e tjerë.

Por Sustar tha se nuk kishte asnjë arsye për të sulmuar një helikopter të paarmatosur. Është e vështirë të flasësh për të pas kaq shumë vitesh, por unë mendoj se ai ishte një viktimë e politikës”, tha ai.

Historiani Bozo Repe tha se ai beson se helikopteri u rrëzua “për arsye propagande”.

“Ministri i atëhershëm i mbrojtjes Janez Jansa dhe lidershipi ushtarak bënë gjithçka që mundën për të vërtetuar se ata ishin në gjendje të neutralizonin helikopterët e Ushtrisë Popullore Jugosllave”, tha Repe për   BIRN.

Ai tha se në dekadat e pasluftës, vdekja e Mrlak ka qenë subjekt i “polemikave të pafundme dhe konfrontimeve ideologjike”, dhe se qëndrimi zyrtar për vdekjen e pilotit “varet nga kush sundon aktualisht në Slloveni”.

Beteja vazhdon për kontrollin mbi historinë

Gazetari veteran Blaz Zgaga, i njohur për investigimet e tij të trafikimit të armëve në Ballkan në vitet 1990, tha se qeveria e sotme sllovene, e udhëhequr nga kryeministri i krahut të djathtë Janez Jansa, i cili ishte ministër i mbrojtjes në kohën e vdekjes së Mrlak në 1991, nuk humb asnjë mundësi për të folur në lidhje me luftën dhe për të theksuar rolin e Jansa në sjelljen e pavarësisë në vend.

“Sa më shumë vite që kanë kaluar që nga viti 1991, aq më shumë mitizohen këto ngjarje dhe thuhet se Sllovenia, në vend që të jetë një shoqëri normale, moderne, bashkëkohore, po kthehet më shumë drejt së kaluarës së saj sesa së ardhmes së saj”, tha Zgaga.

Historiani Repe vuri në dukje se “nuk kishte krime lufte në Slloveni, të paktën në kuptimin që ne njohim në luftërat e mëvonshme në Jugosllavi”.

“Arsyeja qëndron në periudhën e shkurtër të luftës (dhjetë ditë), por edhe në faktin se ajo nuk ishte një luftë e bazuar në urrejtje midis kombeve ose një luftë për territor”, tha ai.

Ushtria Popullore Jugosllave dhe Serbia bënë disa akuza për krime lufte kundër Sllovenisë, shtoi ai, por kishte gjithashtu procese gjyqësore kundër disa komandantëve të Ushtrisë Popullore Jugosllave që përfunduan me lirim nga akuzat në gjykatat sllovene.

“Sot në Slloveni, si kudo në vendet e ish-Jugosllavisë, ka një luftë të ashpër për të interpretuar shpërbërjen e shtetit”, shpjegoi Repe.

Ai shtoi se në dekadat e fundit, narrativa të tilla kanë shërbyer për të shpërqendruar vëmendjen e publikut në Slloveni nga skandalet e ndryshme të korrupsionit “të cilat filluan me shitjen e armëve në Kroaci dhe Bosnjë dhe Hercegovinë në 1991, ndërsa Janez Jansa ishte ministër i mbrojtjes”.

Ai argumentoi se lufta në Slloveni “nuk ishte një luftë klasike”. Qëllimi i Ushtrisë Popullore Jugosllave ishte të pushtonte pikat kufitare të cilat Sllovenia që kërkon pavarësinë i kishte shpallur të vetat dhe ku ishin vendosur simbole kombëtare sllovene.

“Në shumë raste, Ushtria Popullore Jugosllave pati sukses… (por) pas këtyre ndërhyrjeve të para, forcat sllovene të mbrojtjes ishin përgjithësisht të organizuara mirë dhe ri-pushtuan shumicën e pikave kufitare”, tha ai.

“Në shumë vende, kryetarët e bashkive luajtën një rol të rëndësishëm në negociatat e suksesshme me komandantët lokalë të Ushtrisë Popullore Jugosllave dhe njerëzit në shumë vende u dolën para automjeteve të blinduara për t’i ndaluar ata”, vazhdoi ai.

Repe tha se numri i saktë i viktimave në konflikt nuk është përcaktuar kurrë, ndërsa ndonjëherë të dy palët numëruan disa viktima si “të tyret”: “Toni Mrlak është thjesht një shembull i tillë.”

Sipas Repe, ka pasur ndoshta 65 viktima: 37 ushtarë të Ushtrisë Popullore Jugosllave, 12 anëtarë të Mbrojtjes Territoriale Sllovene dhe të forcave të policisë dhe 16 civilë, nga të cilët dhjetë ishin të huaj.

“Një pikë kthese psikologjike”

Ishte viti 2000 kur Mrlak mori pas vdekjes statusin e një luftëtari për pavarësinë e Sllovenisë, pas përpjekjeve të vazhdueshme nga familja e pilotit. Por ata ende besojnë se drejtësia nuk është përmbushur.

Në tetor 2016, Gjykata e Qarkut Lubjanë hodhi poshtë një kërkesë për një hetim, të paraqitur nga e veja e pilotit Emilija Mrlak, për dy qitës të panjohur dhe të ish-oficerit të ushtrisë sllovene Anton Krkovic, i cili dha urdhrin për të qëlluar helikopterin. Emilija Mrlak është e bindur se Krkovic nuk duhej ta kishte dhënë urdhrin.

Një kolonë me tanke jugosllave në kufirin midis Kroacisë dhe Sllovenisë më 3 korrik 1991. Foto: EPA/MIKE PERSSON.

Përpara seancës në 2016, Krkovic tha për mediat se nuk e dinte kush po e pilotonte helikopterin.

“Ne nuk qëlluam Mrlak, por një helikopter të Ushtrisë Popullore Jugosllave”, theksoi Krkovic, duke shtuar se ai nuk e dinte që Mrlak donte të kalonte në anën sllovene.

“Kjo është një histori që u shpik më pas”, këmbënguli ai.

Jansa e mbështeti Krkovic-in, i cili ishte gjithashtu i bashkëpandehuri i tij në një çështje të korruptuar që kishte të bënte me shitje armësh, të ashtuquajturën “Çështja Patria”, duke thënë se Krkovic u gjykua për kryerjen e detyrës së tij.

“Sipas asaj logjike, ata mund të gjykonin rreth 50,000 njerëz që iu përgjigjën thirrjes për të mbrojtur atdheun”, tha Jansa në 2016.

“Për disa vite, kjo marrëzi po shfaqet në lidhje me rrëzimin e këtij helikopteri. Si ministër i mbrojtjes, nuk kam dëgjuar kurrë që z. Mrlak kishte si qëllim të dezertonte. Këtë e kam dëgjuar vetëm në vitin 1992, por nuk pashë ndonjë provë për këtë”, pohoi ai.

Megjithatë, në qershor 1992, një vit pas Luftës Dhjetëditore, kur u pyet për rrëzimin e helikopterit, Jansa tha për televizionin publik slloven: “Ishte një pikë kthese psikologjike, veçanërisht në kuptimin që Mbrojtja Territoriale dhe policia e kuptuan se armiku nuk ishte i paprekshëm në ajër. Ne nuk kishim helikopterë, tanke dhe topa të kalibrave më të mëdhenj, vetëm disa raketa.”

Jansa shtoi se “për fat të keq ishte një slloven në atë helikopter, me të cilin kishim pasur kontakt më parë”.

Politikanët sllovenë të krahut të djathtë kanë pretenduar se çështja ligjore kundër Krkovic ishte një përpjekje për të njollosur luftën për pavarësi.

Potocnjak tha se një kritikë e tillë e ka ndjekur familjen që nga vdekja e Mrlak, dhe madje kishte prekur edhe fëmijët e tij.

Ajo tha se motra e saj, e veja e Mrlak, vendosi të mos vazhdojë më tej me çështjen për shkak të presionit që i bëhet asaj.

“Ime motër tha se nëse do të kishte pasur ndonjë gabim nga lidershipi ushtarak dhe nëse ata do të kërkonin të paktën falje, ajo do t’i falte ata, mund të themi”, tha Potocnjak.

“Megjithatë, nuk ishte një gabim. Ata e donin atë propagandë, donin një shpërthim të madh … ata donin gjak.” BalkanInsight