Vrasja e nxënësit në Prishtinë, Prokuroria jep detaje për rastin

Një 14 vjeçar ka vdekur si pasojë e plagëve të marra pasi u ther me thikë në rrugën “Fahri Fazliu” në Prishtinë.

Prokuroria në Prishtinë e kontaktuar nga KALLXO.com ka dhënë detaje të ngjarjes ndërsa rasti është cilësuar si vrasje e rëndë.

Në vendin e ngjarjes sipas zëdhënëses së Prokurorisë në Prishtinë Laureta Ulaj ka dalë edhe kryeprokurori Kujtim Munishi si dhe prokurorja kujdestare.

“Si pasojë e plagëve të marra nga një mjet i mprehtë (thikë), ka ndërruar jetë një të mitur (i moshës 14 vjeçare), ku vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor. Me urdhër të prokurorit, viktima është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion, derisa prokuroria në koordinim të plotë me policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”, tha Ulaj për KALLXO.com.

Prokuroria nuk ka dhënë detaje në lidhje me ndonjë person të dyshuar në lidhje me këtë ngjarje.

“Për shkak të ndjeshmërisë së rastit, si dhe zhvillimit të hetimeve, në këtë fazë nuk mund të japim detaje të tjera”, tha tutje Ulaj.

KALLXO.com raportoi gjatë ditës për ngjarjen e rëndë që ndodhi në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në Prishtinë.

 

Vdes pas therjes me thikë një i mitur rreth 14 vjeçar në Prishtinë