Vrasja e Mehmet Qemës, 5 personat në kërkim vetëdorëzohen në polici

Pesë personat që ishin në kërkim për vrasjen e Mehmet Qemës mbrëmjen e djeshme në rrugën “5 Maji” në Tiranë, Erlin Peka, Blerim Hoti, Braild Aga, Frenkli Myftari dhe Xhuliano Koçi janë vetëdorëzuar dhe pritet të arrestohen për veprën penale  “Veprime që pengojnë zbardhjen e  së vërtetës” dhe “Moskallzim krimi”.

Një prej të vetëdorëzuarve, Blerim Hoti është ish i dashuri i reperes së famshme Baby G, njëkohësisht edhe mik i ngushtë i reperit Stresi.

Marius Dema, autori i dyshuar i vrasjes u vetëdorëzua disa orë pas vrasjes, pas negociatave me avokatët dhe familjarët.

Mësohet se i riu në dëshminë e tij ka thënë se e ka vrarë pa dashje shokun e tij, ndërsa edhe në pamjet e siguruara nga gazetarja, Anila Hoxha shihej që ai luante me armën dhe e drejton edhe nga Qema.

Si ndodhi ngjarja?

27-vjeçari Mehmet Qema ka qenë i ulur në një lokal në lagjen “5 Maji” në Tiranë  bashkë me shokët e tij, ndërsa Dema  fillon e luan me armën, por papritmas ajo shkrepet dhe Qema qëllohet me plumb në gjoks.

Dëshmitarët, mes tyre Eder Pjetra tregojnë se përpara vrasjes të rinjtë po qëndronin qetësisht dhe nuk kishin asnjë konflikt.

Viktima kishte vetëm pak ditë që kishte ardhur nga Londra dhe njihej me nofkën “Tallman”, ose “Hasjanali”, ndërsa ka marrë pjesë edhe në videoklipe në këngë të ndryshme reperash.

Gjithashtu një makineri që prodhon monedhën virtuale Bitcoin është gjetur në vendin e ngjarjes ku u vra 27-vjeçari Mehmet Qema, bënë me dije burime pranë krimit ekonomiko financiar për gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha. /Top Channel/