Vrasja e Marigona Osmanit, prek fundin rigjykimi i Dardan Krivaçës dhe Arbër Sejdiut
Dardan Krivaça e Arbër Sejdiu, të akuzuar për vrasjen e Marigona Osmanit në gushtin e vitit 2021, kanë dhënë fjalët e tyre përfundimtare në procesin gjyqësor i cili tashmë është në fazën e rigjykimit.
Fjalët përfundimtare për këtë rast i kanë paraqitur edhe babai i Marigona Osmanit, Muhabi Osmani, dhe përfaqësuesi i familjes, Gazmend Rexhepi.
Muhabi Osmani tha se strategjia që Krivaça me mbrojtësin e tij, Skender Musa, se gjoja se Marigona Osmani ka qenë konsumuese e narkotikëve nuk qëndron.
Sipas Osmanit, për këtë pretendim të tyre mund të pyeten edhe shoqet e saj të klasës, kujdestari i saj i shkollës dhe lagjja ku ka jetuar.
“Deshta m’i thanë do fjalë që u mundu në këtë Gjykatë që vajzën time me trajtu kishe ka marrë droga, por nuk është e vërtetë. Për atë mundeni me pyet kujdestarin e klasës, shoqet e klasës, të shkollës, që i ka pasë shumë, ju thojnë që Marigona nuk ka përdorë lëndë narkotike qysh kanë deshtë me e paraqitë, do të thotë këta kanë bërë një turp ma të ulët njerëzor ndaj vajzës time, nuk ka qenë e vërtetë që ka konsumuar (nuk kuptohet) sa ka qenë në shtëpi te na ajo ka qenë vajzë edhe lagjja e njeh për të mirë, edhe shkolla, edhe shoqet e klasës. Nuk qëndron ajo strategjia se vajza jonë ka konsumuar drogë. Për kriminela po e dimë”- tha babai i Marigona Osmanit.
Përfaqësuesi i familjes së Marigona Osmanit, Gazmend Rexhepi, kërkoi nga Gjykata që Krivaçën e Sejdiun t’i dënojë me burgim të përjetshëm.
Ndërsa i akuzuari Dardan Krivaça në fjalën përfundimtare shprehu keqardhje për atë se çka ka ndodhur, duke e konsideruar veprimin e tij si të paqëllimshëm. I akuzuari tha se ka menduar krijimin e familjes me të dhe se asnjëherë s’ka menduar t’ia marrë jetën.
“Ju kërkoj falje familjes së të ndjerës! Më vjen keq për atë që ka ndodhë, më vjen keq që e kam lëndu, nuk e kam bo me qëllim, ka qenë e paqëllimshme, asnjëherë s’e kam mendu që muj m’i shkaktu kaq shumë probleme (nuk kuptohet), po ky është personi që e kam deshtë, asnjëherë s’e kam mendu me ia marrë jetën”- tha i akuzuari.
Dënimin e të akuzuarve e kërkoi edhe prokurori Valdet Avdiu duke e kërkuar nga gjykata që mos t’i falë besimin fjalëve të dhëna në mbrojtjen e tij të akuzuarit Krivaça pasi që ato nuk përputhen me provat që tashmë veçse janë të njohura për Gjykatën.
Por, në anën tjetër, mbrojtësi i Krivaçës, Skender Musa, kërkoi nga Gjykata që pas analizimit të provave të shikohet mundësia për rikualifikim të veprës penale pasi që i mbrojturi i tij nuk mund të dënohet për vrasje të rëndë në mënyrë mizore e as për vrasje të anëtarit të familjes.
Sipas Musës, Krivaça kishte kryer veprën duke mos qenë vetvetja pasi ishte nën ndikimin e narkotikëve.
“Gjatë kohës së ndërmarrjes së këtyre veprimeve nuk ka qenë vetvetja. Kërkojmë që të matet drejt dënimi dhe të shpallet fajtor për veprën që e ka kryer dhe jo për vepër që akuzohet” – tha Musa.
Ndërsa avokatja e Arbër Sejdiut, Arbnora Shefkiu, tha se aktakuza e Prokurorisë në raport me të akuzuarin Sejdiu nuk është vërtetuar.
Shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet më 29.07.2024.
Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu akuzohen për vrasje të rëndë në bashkëkryerje. Krivaça në shkallë të parë ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Marigona Osmanit, kurse për ndihmë në vrasje të rëndë ishte dënuar me 15 vite dënim me burgim Arbër Sejdiu.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Krivaça dhe Sejdiu e kanë goditur të ndjerën me një shkop në pjesë të ndryshme të trupit me ç’rast i kanë shkaktuar dhimbje të mëdha fizike dhe psiqike duke shkaktuar vdekjen e viktimës.
Gjykata e Apelit me rastin e kthimit të rastit në rigjykim kishte vlerësuar se dispozitivi i parë dhe i dytë i aktgjykimit është i paqartë, i pakuptueshëm dhe jo në harmoni me ligjin.
Dispozitivi i parë i aktgjykimit ka të bëjë me veprën penale të dhunimit, veprime për të cilat Krivaça u lirua nga akuza. Ndërkaq dispozitivi i dytë lidhet me akuzat ndaj Arbër Sejdiut për ndihmë në kryerjen e dhunimit, vepër për të cilën i njëjti ishte liruar nga shkalla e parë.
Krivaça akuzohet se me dashje dhe në bashkëkryerje me Arbër Sejdiun e privojnë nga jeta Marigona Osmanin. Me të njëjtën, Krivaça ka qenë në lidhje jashtëmartesore.
Më 22.08.2021 ishte njoftuar se një 18-vjeçare ishte dërguar pa shenja jete në Spitalin e Ferizajt.
Dosja e Prokurorisë tregon se video-incizimet paraqesin raportet mes të pandehurit Krivaça dhe të ndjerës kurse pastaj ato sipas Prokurorisë ishin përkeqësuar.
“Ne e konsiderojmë videon të besueshme dhe të saktë, video-regjistrimet tregojnë se në fillim, konkretisht, më 19.08.2021, raportet në mes të pandehurit Dardan Krivaça dhe të ndjerës kanë qenë të mira, këto raporte fillojnë të përkeqësohen kur aty paraqitet i pandehuri Arbër Sejdiu, i cili vjen në orën 16:18, së bashku me Dardanin, ku me vete ka një çantë me rroba, në orën 19:02, të pandehurit bisedojnë lidhur me kamerat, si dhe shikojnë se cilat pjesë të korridorit i kap kamera ku lëvizin në pjesë të ndryshme për të verifikuar se cilat pjesë të korridorit i kap kamera dhe vërehet se rolin apo fjalën kryesore për këtë e ka Arbër Sejdiu, në orën 19:56, Arbëri merr rrobat e tij dhe del nga banesa së bashku me Dardanin” – shkruhet në aktakuzën e Prokurorisë.
Prokurori në aktakuzën e përpiluar ka përshkruar se si është organizuar dhunimi e më pas vrasja e Marigona Osmanit.
“Më 21.08.2021, ora 02:40, Dardan Krivaça, pas mesnate deri sa është në banjë me të ndjerën Marigona Osmani, e godet me dorë në fytyrë, 04:52, dalin nga banesa, 09:53, i pandehuri Dardan Krivaça dhe e ndjera Marigona Osmani, kthehen ku vërehet se e ndjera nuk ka kontroll të plotë, i merren mendtë, 10:02, i pandehuri e dërgon në banjë të ndjerën Marigona Osmani, del në ora 10:14, ku vërehet se e njëjta reziston, mirëpo është kapur me duar dhe shtyhet me forcë drejt sallonit, 10:48, e dërgon me forcë në banjë, ku e ndjera është e zhveshur, ndërsa i pandehuri është veshur ku qëndrojnë deri në orës 11:09, kur dalin i pandehuri është zhveshur, dhe të ndjerën me dhunë e nxjerr nga banjë dhe e dërgon në dhomën e gjumit, 13:43, i pandehuri i cili është zhveshur i vendos kamerës një kapelë e cila mbulon pamjen deri në orën 19:57” – përshkruhet në aktakuzë.
Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK