Seanca ndaj të akuzuarve për vrasjen e Marigona Osmanit, Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu – 01.06.2023 / FOTO: Aulona Alaj – KALLXO.com

Vrasja e Marigona Osmanit - Krivaça e Sejdiu ballafaqohen me pamjet e kamerës së sigurisë

Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu, të akuzuar për vrasjen dhe dhunimin viktimës Marigona Osmani, janë ulur edhe sot në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Ferizajt.

Dy të akuzuarit janë ballafaquar sot me listën e provave të Prokurorisë që rëndojnë ndaj tyre e që sipas trupit gjykues gjatë administrimit pritet të vendoset fajësia apo pafajësia ndaj tyre.

Provat që pritet të administrohen gjatë gjykimit ndaj Krivaçës dhe Sejdiut sipas kryetarit të trupit gjykues,  gjyqtarit Sahit Krasniqi, janë: Raporti i autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore; Dosja e Forenzikës; Libri për evidencën e thirrjeve në kompaninë e Sigurimeve ‘Syri i Shqiponjës’; Vërtetimi mbi konfiskimin e sendeve të sekuestruara; Raporti i ekspertizës nga ABIS dhe CD-ja me videoincizime në banesën e Krivaçës në kohën kur ndodhi vrasja.

Videoincizimet në fjalë u lëshuan në sallën e gjykimit, por pamjet nuk u lejuan të përcillen nga publiku.

Lidhur me këtë trupi gjykues nxori aktvendim që seanca të mbyllet, për shkak të përmbajtës së ndejshme lidhur me integritetin seksual.

Seanca vazhdoi të jetë e mbyllur për publikun për pjesën e mbetur të ditës.

Në seancën e cila u mbyll për publikun, gjatë momentit kur u shfaq videoja e cila tregonte pamjet nga banesa e tij, i akuzuari për vrasjen e Marigona Osmanit, Dardan Krivaça është alivanosur.

Për KALLXO.com këtë e konfirmoi zëdhënësja e Gjykatës se Ferizajt, Gentiana Hoxha.

Krivaça u trajtua nga Qendra Emergjente e Ferizajt ku i është dhënë ndihma e nevojshme mjekësore.

Si pjesë e shkresave të lëndës u pranua edhe u përmend ekzaminimi psikiatrik i gjendjes mendore të Krivaçës, i përpiluar nga ekipi i ekspertëve të psikiatrisë forenzike.

Përfaqësuesi i familjes së viktimës, avokati Gazmend Rexhepi, kërkoi që si provë të shtoheshin edhe 18 raporte psikologjike dhe psikiatrike që pasqyrojnë gjendjen e rëndë mendore të familjes së viktimës pas vrasjes së të bijës.

Relevancën e këtyre provave, avokati e arsyetoi me dispozitë të Kodit Penal.

“Kodi Penal në mënyrë decidive e citon tek shpallja e dënimit të ketë parasysh pasojat e rënda që janë shkaktuar nga veprat penale”, u shpreh ai.

Lidhur me këtë, trupi gjykues i pranoi raportet e tilla si prova shtesë në procedurë.

Ndërsa prova të cilat nuk i pranoi, ishin procesverbalet e marrjes në pyetje të të akuzuarve Krivaça dhe Sejdiu, në prokurori dhe në polici.

“Leximi i tyre nuk është relevant për trupin gjykues sepse me to nuk vërtetohet asgjë, i njëjti ishte mbrojtur në heshtje dhe mbrojtjen ka mundësi ta jap në fazën e mëvonshme të shqyrtimit gjyqësor”, u shpreh Sahit Krasniqi, kryetari i trupit gjykues.

“Arbër Sejdiu në Prokurori është mbrojtur në heshtje dhe nuk ka nevojë të lexohet deklarata e tij pasi që i njëjti nuk ka deklaru asgjë, andaj trupi gjykues vlerëson se njëmbëdhjetë procesverbalet e propozuara nuk kanë nevojë të lexohen sepse nuk vërtetojnë asgjë në këtë çështje penale”, tha gjyqtari Krasniqi.

Dosja e Prokurorisë

Sipas konstatimit të Prokurorisë, në korridor të banesës së të pandehurit ka pasur të vendosur një kamerë sigurie, e cila regjistronte 24 orë e që ka xhiruar edhe momente të ngjarjes.

“Regjistrimi ka kohën e saktë, kamera ka pamje nga dera e hyrjes së banesës dhe banjo, e njëjta ka pamje edhe të një pjese të derës së një dhome gjumi, si dhe një dhomë tjetër të cilën e kap vetëm një qosh, kjo e fundit edhe është dhoma ku janë kryer veprat penale”, përshkruhet në aktakuzë.

“Policia ka marr DVR, e njëjta është dërguar për ekzaminim, ku janë tërhequr pamjet për periudhën kohore prej shtatëdhjetë e dy orë dhe atë nga data 19.08.2021 ora 00:05 deri më 23.08.2021 ora 00:18”, përshkruan aktakuza e Prokurorisë, e cila detajon edhe kohën e saktë dhe veprimet e dy të pandehurve brenda banesës.

Në aktakuzë theksohet se Prokuroria e ka konsideruar videon të besueshme dhe ngjarja është regjistruar prej datës 19 gusht 2021.

“Ne e konsiderojmë videon të besueshme dhe të saktë, videoregjistrimet tregojnë se në fillim, konkretisht, më 19.08.2021, raportet në mes të pandehurit Dardan Krivaça dhe të ndjerës kanë qenë të mira, këto raporte fillojnë të përkeqësohen kur aty paraqitet i pandehuri Arbër Sejdiu, i cili vije në orën 16:18, së bashku me Dardanin, ku me vete ka një çantë me rroba, në orën 19:02, të pandehurit bisedojnë lidhur me kamerat, si dhe shikojnë se cilat pjesë të korridorit i kap kamera ku lëvizin në pjesë të ndryshme për të verifikuar se cilat pjesë të korridorit i kap kamera dhe vërehet se rolin apo fjalën kryesore për këtë e ka Arbër Sejdiu, në orën 19:56, Arbëri merr rrobat e tij dhe del nga banesa së bashku me Dardanin”, shkruhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Prokurori në aktakuzën e përpiluar, ka përshkruar se si është organizuar dhunimi e më pas vrasja e Marigona Osmanit.“

Më 21.08.2021, ora 02:40, Dardan Krivaça, pas mesnate deri sa është në banjë me të ndjerën Marigona Osmani, e godet me dorë në fytyrë, 04:52, dalin nga banesa, 09:53, i pandehuri Dardan Krivaça dhe e ndjera Marigona Osmani, kthehen ku vërehet se e ndjera nuk ka kontroll të plotë, i merren mendtë, 10:02, i pandehuri e dërgon në banjë të ndjerën Marigona Osmani, del në ora 10:14, ku vërehet se e njëjta reziston, mirëpo është kapur me duar dhe shtyhet me forcë drejt sallonit, 10:48, e dërgon me forcë në banjë, ku e ndjera është e zhveshur, ndërsa i pandehuri është veshur ku qëndrojnë deri në orës 11:09, kur dalin i pandehuri është zhveshur, dhe të ndjerën me dhunë e nxjerr nga banjë dhe e dërgon në dhomën e gjumit, 13:43, i pandehuri i cili është zhveshur i vendos kamerës një kapelë e cila mbulon pamjen deri në orën 19:57”, përshkruhet në aktakuzë.

Prokuroria e Ferizajt ka ngritur aktakuzë me datë 28.06.2022 ndaj Dardan Krivaçës dhe Arbër Sejdiut të dyshuar për vrasjen mizore të Marigona Osmanit.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK