Vrasja e Liridona Ademajt - Prokurorja flet për një nga motivet e rastit

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi në një Konferencë për media më 15.01.2025 ka bërë të ditur se kanë ngritur Aktakuzë, lidhur me rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29.11.2023.

Të akuzuarit janë Naim Murseli, ish-bashkëshorti i Liridona Ademajt, Kushtrim Kokalla e Granit Plava dhe një person tjetër të cilit prokurorja e rastit, Javorka Perlinçeviq nuk ia përmendi emrin.

Ajo tha se i njëjti nuk është i përfshirë në mënyrë direkte dhe se rastësisht është gjendur aty.

Prokurorja e rastit, Javorka Perlinqeviç ka thënë se nuk mund t’i bëjë të ditura motivet e rastit, megjithatë theksoi se përderisa kanë jetuar në Suedi, Liridona Ademaj dhe Naim Murseli kanë pasur marrëdhënie të çrregullta martesore e familjare, prej të cilave kanë ardhur edhe probleme pasurore.

“Nuk mundemi me i tregu të gjitha motivet, sepse Aktakuza është dërguar në Gjykatë, por mund të themi se përderisa kanë jetuar në Suedi, Liridona dhe Naimi kanë pasur marrëdhënie të çrregulluara martesore e familjare, gjatë të cilave kanë ardhur edhe deri të problemet pasurore. Arsyet e tjera, të cilat i ka pasur Naimi që ta planifikojë dhe ta bëjë këtë vrasje, mund t’i kuptoni në Gjykatë kur të fillojë seanca.” – ka thënë ajo.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi në Konferencë për media ka thënë se lidhur me rastin janë zhvilluar hetime në shumë dimensione dhe se kanë siguruar ekspertiza nga brenda dhe jashtë vendit.

“Ky rast ka qenë i ndishëm dhe për atë ka qenë një kufizim për dhënie të informacioneve. Po ashtu, siç e dini, rasti ka qenë i inskenuar si grabitje, por në një afat të shkurt kohor kemi arritur të zbulojmë kryerësit e veprës penale. Janë zhvilluar hetime në shumë dimensione, për arsye se kemi siguru ekspertiza edhe nga jashtë, edhe nga brenda vendit tonë.” – ka thënë Gashi.

Prokurorja e rastit, Javorka Perlinçeviq ka thënë se arsyeja pse ka kaluar një kohë e gjatë për ngritjen e Aktakuzës ka qenë mungesa e informacioneve për motivin e ngjarjes.

“Dua të sqaroj pse ka kaluar një kohë e gjatë nga ngritja e Aktakuzës. Provat janë mbledhur shpejt për veprën penale. Çka ka munguar ka munguar motivi dhe e kemi të njohur faktin se e ndjera me familje ka jetuar në Suedi. Organeve atje iu jemi drejtuar për të kërkuar të dhëna, nëse kanë pasur të dhëna në lidhje me problemet. Derisa nuk i kemi pasur të dhënat në lidhje me këtë, nuk kam mundur ta ngrisë Aktakuzën. Tani që kemi edhe motivin kemi zbuluar edhe faktin pse ka ndodhur dhe pse janë përfshirë, edhe si janë përfshirë edhe Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava.” – është shprehur ajo.

Liridona Ademaj ishte vrarë më 29.11.2023, në ora 20:25, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë dhe – sipas Prokurorisë – dorasi ishte pajisur me armë dhe ishte inskenuar një grabitje.

Sipas Prokurorisë, ndaj Naim Murselit rëndon vepra penale “vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, për Plavën rëndon vepra penale “vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje”, ndërsa për Kushtrim Kokallën “marrëveshja për ta kryer veprën penale të vrasjes së rëndë”.

Më 27.12.2024, Gjykata e Prishtinës ua ka vazhduar edhe për dy muaj të tjerë masën e paraburgimit Naim Murselit, Kushtrim Kokallës e Granit Plavës, të dyshuar për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt. Të njëjtit gjenden në këtë masë, që nga nëntori i vitit 2023.