Vrasja e Liridona Ademajt - Prokuroria thërret Konferencë për media për të mërkurën

Prokuroria në Prishtinë ka thirrur Konferencë për media, lidhur me rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

Konferenca do të mbahet të mërkurën, më 15.01.2024, në ora 10:00 – sipas njoftimit që ka bërë Prokuroria.

“Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, z. Zejnullah Gashi, ju fton të merrni pjesë në Konferencën për media për rastin e Liridona Ademajt, e cila do të mbahet më 15.01.2025, me fillim nga ora 10:00, në objektin e Prokurorisë Themelore – Prishtinë, Salla e Konferencave, Kati 0.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Liridona Ademaj ishte vrarë më 29.11.2023, në ora 20:25, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë dhe – sipas Prokurorisë – dorasi ishte pajisur me armë dhe ishte inskenuar një grabitje.

Ndaj Naim Murselit – sipas kërkesës së paraburgimit – rëndon vepra penale “vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, për Plavën rëndon vepra penale “vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje”, ndërsa për Kushtrim Kokallën “marrëveshja për ta kryer veprën penale të vrasjes së rëndë”.

27.12.2024, Gjykata e Prishtinës ua ka vazhduar edhe për dy muaj të tjerë masën e paraburgimit Naim Murselit, Kushtrim Kokallës e Granit Plavës, të dyshuar për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt. Të njëjtit gjenden në këtë masë, që nga nëntori i vitit 2023.

Dosja e Prokurorisë

Sipas Dosjes, që kishte siguruar KALLXO.com, disa orë para se të vritej Liridona Ademaj, i dyshuari për rastin e organizimit të vrasjes së gruas së tij, Naim Murseli ishte takuar me të dyshuarin Kushtrim Kokalla, duke i thënë “Sot duhet të kryhet kjo punë.” – duke aluduar në vrasjen e Ademajt.

Sipas Dosjes së Prokurorisë, takimi kishte ndodhur në një Qendër në Gjakovë, në ora 9:30 minuta në mëngjes. Ky takim kishte ndodhur si rrjedhojë e një takimi rreth një javë para natës kritike, kur Murseli i kishte treguar Kokallës lidhur me “problemet bashkëshortore që është duke pasur me të ndjerën”.

“Kokalla ishte munduar t’i bëjë zgjidhje Murselit, duke i thënë ‘Unë ta zgjidhi këtë punë’.” – thuhet në Dosje.

“Naim Murseli i ka treguar të pandehurit Kushtrim për problemet e tij bashkëshortore, me tani të ndjerën Liridona Murseli. I pandehuri Kushtrim i ka thënë ‘Unë ta zgjidhi këtë punë’ dhe ndërkohë janë marrë vesh për një aksident të inskenuar.” – thuhet në Dosjen e Prokurorisë.

Kështu, të dyshuarit kanë inskenuar një aksident të grabitjes, nga i cili kishte rezultuar më pas në vrasjen e Liridona Ademajt. Sipas Vendimit të Gjykatës, Kushtrim Kokalla, Naim Murseli së bashku me Granit Plavën ishin takuar në një pompë të derivateve dhe Plava i kishte treguar të dyshuarve se “merret me gjithçka”.

Pas këtij takimi, Naim Murseli kishte kërkuar numrin e telefonit të Granit Plavës nga Kushtrim Kokalla, i cili ia kishte dhënë numrin.

Sipas Dosjes, Murseli i kishte thënë Kokallës se do të aranzhojë një takim me dorasin, që në këtë rast – sipas Prokurorisë – dyshohet të jetë Granit Plava.

Sipas kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, Naim Murseli, me qëllim që të privojë nga jeta bashkëshorten e tij, është marrë vesh me të pandehurin, Granit Plava për të kryer këtë akt makabër.

Sipas Dosjes, Naim Murseli kishte siguruar armën, e kishte pajisur më armë dorasin dhe kishin inskenuar një grabitje – inskenim i cili kishte ndodhur të mërkurën e 29 nëntorit 2023, rreth orës 20:25, në Rrugën “Dalip Alshiqi”.

Raportimet e KALLXO.com – LINK