Vrasja e Liridona Ademajt, Prokuroria e Prishtinës sot mban Konferencë për media

Hetimet për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt kanë përfunduar, ndërsa Prokuroria e Prishtinës pritet që sot, më 15.01.2025, të njoftojë për ngritjen e Aktakuzës ndaj katër personave.

Liridona Ademaj ishte vrarë më 29.11.2023, në ora 20:25, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë dhe sipas Prokurorisë dorasi ishte pajisur me armë dhe ishte inskenuar një grabitje.

KALLXO.com mëson se faza hetimore për këtë rast ka marrë epilog, ndërsa pritet të ngritet Aktakuza dhe më pas e njëjta do të  dorëzohet në Gjykatë për procedim të mëtejm.

Lidhur me këtë rast të dyshuar janë: Naim Murseli, Kushtrim Kokalla e Granit Plava, të cilët gjenden në masën e paraburgimit, që nga nëntori i vitit 2023.

Më 13.01.2025 Prokuroria e Prishtinës ka njoftuar se më 15.01.2025 do të mbajë Konferencë për media, me temën për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

“Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, z. Zejnullah Gashi, ju fton të merrni pjesë në Konferencën për media për rastin e Liridona Ademajt, e cila do të mbahet më 15.01.2025, me fillim nga ora 10:00, në objektin e Prokurorisë Themelore – Prishtinë, Salla e Konferencave, Kati 0.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Gjykata e Prishtinës, më 27.12.2024, ua ka vazhduar edhe për dy muaj të tjerë masën e paraburgimit Naim Murselit, Kushtrim Kokallës e Granit Plavës, të dyshuar për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt. Të njëjtit gjenden në këtë masë që nga nëntori i vitit 2023.

Dosja e Prokurorisë

Sipas Dosjes, që kishte siguruar KALLXO.com, disa orë para se të vritej Liridona Ademaj, i dyshuari për rastin e organizimit të vrasjes së gruas së tij, Naim Murseli ishte takuar me të dyshuarin Kushtrim Kokalla, duke i thënë “Sot duhet të kryhet kjo punë.” – me aludim në vrasjen e Ademajt.

Sipas Dosjes së Prokurorisë, takimi kishte ndodhur në një Qendër në Gjakovë, në ora 9:30 minuta në mëngjes. Ky takim kishte ndodhur si rrjedhojë e një takimi rreth një javë para natës kritike, kur Murseli i kishte treguar Kokallës lidhur me “problemet bashkëshortore që është duke pasur me të ndjerën”.

“Kokalla ishte munduar t’i bëjë zgjidhje Murselit, duke i thënë ‘Unë ta zgjidhi këtë punë’.” – thuhet në Dosje.

 

“Naim Murseli i ka treguar të pandehurit Kushtrim për problemet e tij bashkëshortore, me tani të ndjerën Liridona Murseli. I pandehuri Kushtrim i ka thënë ‘Unë ta zgjidhi këtë punë’ dhe ndërkohë janë marrë vesh për një aksident të inskenuar.” – thuhet në Dosjen e Prokurorisë.

 

Kështu, të dyshuarit kanë inskenuar një aksident të grabitjes, nga i cili kishte rezultuar më pas në vrasjen e Liridona Ademajt. Sipas Vendimit të Gjykatës, Kushtrim Kokalla, Naim Murseli së bashku me Granit Plavën ishin takuar në një pompë të derivateve dhe Plava i kishte treguar të dyshuarve se “merret me gjithçka”.

Pas këtij takimi, Naim Murseli kishte kërkuar numrin e telefonit të Granit Plavës nga Kushtrim Kokalla, i cili ia kishte dhënë numrin.

Sipas Dosjes, Murseli i kishte thënë Kokallës se do të aranzhojë një takim me dorasin, që në këtë rast – sipas Prokurorisë – dyshohet të jetë Granit Plava.

 

Sipas kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, Naim Murseli, me qëllim që të privojë nga jeta bashkëshorten e tij, është marrë vesh me të pandehurin, Granit Plava për të kryer këtë akt makabër.

 

Sipas Dosjes, Naim Murseli kishte siguruar armën, e kishte pajisur më armë dorasin dhe kishin inskenuar një grabitje – inskenim i cili kishte ndodhur të mërkurën e 29 nëntorit 2023, rreth orës 20:25, në Rrugën “Dalip Alshiqi”.

Raportimet e KALLXO.com – LINK