Vrasja e Kujtim Veselit, dorëzohen në Këshill Prokurorial ankesa ndaj dy zyrtarëve

Aktivistët e fushatës “Drejtësi për Kujtimin”, së bashku me avokaten e familjes, Rina Kika kanë kërkuar drejtësi për Kujtim Veselin, 11 vjeçarin i cili fillimisht ishte dhunuar seksualisht për muaj me radhë e më pas ishte vrarë.

Dy ditë pas tre vjetorit të vrasjes së Kujtimit, 11 korrik 2019, këta aktivistë së bashku me avokaten kanë njoftuar se kanë dorëzuar dy ankesa ndaj dy zyrtareve përgjegjëse, sipas tyre për neglizhimin e rastit të Kujtimit.

Sipas avokates Kika, ankesat janë dorëzuar ndaj zyrtares policore e cila në janar 2019 në raportimin fillestar të keqtrajtimit seksual të Kujtimit nuk e ka dorëzuar me rregull raportin policor në Prokurori duke e penguar kështu një reagim adekuat dhe urgjent lidhur me rastin.

“Ankesa e dytë është ndaj pro0kurores e cila pavarësisht se ka qenë në dijeni për rrezikun menjëhershëm ndaj mirëqenies dhe jetës së Kujtimit, nuk e ka kërkuar arrestimin e abuzuesit të Kujtimit”, ka thënë ajo.

Tutje avokatja ka shtuar se në dosjen e lëndës të cilën ia ka dorëzuar Prokuroria gjendet një kërkesë për lëshimin e urdhërarrest e datës 12 qershor 2019, pra një muaj para vrajses së Kujtimit. Mirëpo, sipas Kikajt, pas kërkesës së tyre për informata, Gjykata Themelore në Prishtinë i ka konfirmuar se asnjëherë nuk e ka pranuar një kërkesë të tillë nga Prokuroria.

“Këto dy zyrtare publike e kanë neglizhuar dhe nuk e kanë trajtuar me urgjencë rastin e Kujtimit ndërkaq, ndaj tyre nuk është marrë asnjë masë për shkeljet e autorizimeve ligjore”, tha Kika, duke shtuar se kjo ka qenë arsyeja pse sot janë dorëzuar dy ankesat.

Kika, po ashtu tregoi se të premten e kaluar kanë dorëzuar edhe një padi për konstatimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe të dëmëshpërblimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

“I bëjmë thirrje institucioneve që kërkesat lidhur me këtë rast t’i trajtojnë me seriozitet dhe pa vonesë”, tha ndër të tjera avokatja e familjes së 11 vjeçarit.

Në anën tjetër, aktivistja e grupit “Drejtësi për Kujtimin”, Vlora Gashi tha se kanë dy kërkesa.

Kërkesa e parë është që Kryeprokurori i Shtetit t’i kërkojë falje publike familjes së Kujtim Veselit për shkelje të të drejtave të njeriut dhe për vrasjen e tij nga neglizhenca e shtetit. Kërkesa e dytë është që të ketë hetim të pavarur të personave përgjegjës për shkeljet në mënyrë që një rast i tillë të mos përsëritet kurrë më.

“Më 11 korrik 2022 janë bërë tri vite nga vrasja e Kujtimit dhe ne ende po kërkojmë drejtësi. Personat përgjegjës për neglizhimin e rastit të Kujtimit nuk kanë dhënë llogari për shkeljet e tyre. Ne nuk do të ndalemi deri sa të ketë drejtësi për Kujtimin”, ka thënë Gashi.

Kujtim Veseli, 11 vjeçar, ishte dhunuar seksualisht për muaj me radhë e pastaj u vra më 11 korrik 2019.

Prokuroria dhe Policia ishin të njoftuar lidhur me dhunimin seksual të Kujtimit, megjithatë nuk ndërmorën veprime për arrestimin e dhunuesit.

Më 20 tetor 2020, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me 25 vjet burgim Sefedin Osmanin, i cili akuzohej për dhunim të përsëritur dhe vrasjen e 11-vjeçarit.

Për këtë rast, familja, avokatja dhe shoqëria civile kërkuan hetim penal ndaj zyrtarëve policorë si dhe prokurorëve të cilët, sipas tyre, por edhe sipas një raporti të Avokatit të Popullit, neglizhuan rrezikun më të cilin ishte duke u përballur Kujtimi.

Përkundër kërkesave, zyrtarët policorë shpëtuan pa u ndjekur penalisht, njëjtë siç kaloi edhe prokurori i rastit, Ruhan Salihu.

Më datë 12 nëntor, 2019, Këshilli Prokurorial i Kosovës konstatoi se prokurori Ruhan Salihu kishte kryer shkelje disiplinore përmes veprimeve të tij në rastin vrasjes së Kujtim Veselit. Por, dënimi ishte vetëm masë administrative duke i shqiptuar masë disiplinore “ulje e pagës në 30%, për 6 muaj” për shkeljet disiplinore që rezultuan me vrasjen e Kujtim Veselit.

Vrasja e Kujtim Veselit, aktivistët padisin Këshillin Prokurorial të Kosovës