Vrasja e Kujtim Veselit, Albin Kurti kërkon përgjegjësi nga institucionet

Ish-kryeministri Albin Kurti po kërkon përgjegjësi nga institucionet e drejtësisë për vrasjen e 9 vjeçarit Kujtim Veseli.

Kurti përmes një postimi në Facebook ka thënë se përgjegjësia institucionale në lidhje me këtë rast është më e gjerë se fajësia individuale.

“Përkundër pranimit të fajit, si dhe një historie të bujshme të rasteve kriminale, atij i është mundësuar që të vazhdojë të dhunojë Kujtimin. Në shikim të parë mund të duket se drejtësia është vënë në vend, mirëpo rrugëtimi drejt drejtësisë për Kujtimin nuk duhet të përfundojë këtu”, ka shkruar Kurti.

Kurti ka thënë se S. O. u shpall fajtor, por llogaridhënie duhet të ketë edhe nga institucionet dhe zyrtarët shtetërorë.

“Dje, S. O. u shpall fajtor, mirëpo llogaridhënie duhet të ketë edhe nga institucionet dhe zyrtarët shtetërorë që e lanë Kujtimin plotësisht të pambrojtur nga rreziku që i kanosej, përkundër faktit që ishin të njoftuar për rrezikun dhe pozitën e cenueshme të tij”, ka shkruar ai.

Kurti ka kërkuar që qytetarët të nënshkruajnë një peticion për të drejtat e njeriut.

Kërkesat e peticionit janë: Policia e Kosovës të kërkojë falje për neglizhimin e rastit të Kujtimit; Kryeprokurori dhe Prokuroria e Shtetit të iniciojnë hetime për shkelje të statusit të barabartë të shtetasve të Republikës së Kosovës, dhe  Qeveria e Kosovës ta kompensojë familjen e Kujtim Veselit për shkeljet e të drejtave të njeriut.

Gjykata e Prishtinës i ka shqiptuar dënim prej 25 vitesh të akuzuarit S. O. për dhunimin dhe vrasjen e 11-vjeçarit, Kujtim Veseli nga Fushë Kosova.

S. O. është dënuar me 10 vite burgim për vrasje, ndërsa me 20 vite burgim është dënuar për veprën penale dhunim.