Salim Jamil Ayash u shpall fajtor për përfshirje në vrasjen e ish kryeministrit libanez Rafik Hariri më 2005 - Foto: REL/Reuters

Vrasja e ish-kryeministrit libanez, dënohet i akuzuari kryesor

Një gjykatë e mbështetur nga Kombet e Bashkuara e ka shpallur fajtor një anëtar të grupit Hezbollah, për komplotin e vrasjes së ish-kryeministrin të Libanit, Rafik al-Hariri më 2005 në Bejrut.

Gjykata liroi tre burra të tjerë të akuzuar si bashkëpunëtorë për shkak të provave të pamjaftueshme.

Katër anëtarët e dyshuar të grupit militant shiit Hezbollah u gjykuan në mungesë nga Gjykata Speciale për Libanin, me seli në periferi të Hagës në Holandë.

Gjyqi nisi në vitin 2014.

Prokurorët e bazuan aktakuzën kryesisht në të dhënat e telefonave celularë që pretendohet se u përdoren nga personat e akuzuar, për të planifikuar dhe ekzekutuar vrajsen përmes makinës bombë.

Gjyqtarët thanë se provat treguan se i pandehuri kryesor, Salim Jamil Ayyash, posedonte “një nga gjashtë celularët e përdorur nga ekipi i atentatit” dhe vendosën se ai ishte fajtor për kryerjen e një sulmi terrorist dhe vrasje.

Vendndodhjet e Ajjashit, Hassan Habib Merhi, Hussein Hassan Oneissi dhe Asad Hassan Sabra nuk dihen.

“Provat vërtetuan gjithashtu se Ayyash kishte lidhje me Hezbollahun”, tha gjykatësi Micheline Braidy, i cili po lexonte një përmbledhje të vendimit prej 2.600 faqesh.

Sidoqoftë, gjyqtarët thanë se ata nuk kishin gjetur prova që lidershipi i Hezbollahut, që mbështetet nga Irani ose qeveria siriane kishte luajtur rol në sulmin e 14 shkurtit 2005, që la të vdekur 21 persona të tjerë.

Vrasja e Hariri, një nga politikanët më të spikatur myslimanë suni të Libanit, shkaktoi zemërim në të gjithë vendin.

Hariri, një miliarder musliman suni, kishte lidhje të ngushta me Shtetet e Bashkuara, vendet perëndimore dhe aleatët arabë të Gjirit Suni dhe u pa si një kërcënim për ndikimin iranian dhe sirian në Liban. Ai drejtoi përpjekjet për të rindërtuar Bejrutin pas luftës civile 1975-1990.

Ai ka mbështetur thirrjet që Siria të largojë trupat e saj që kanë qenë në Liban prej vitit 1976.

Zemërimi lokal dhe ai ndërkombëtar për këtë sulm pati shtyrë qeverinë pro-siriane të Libanit që të japë dorëheqje dhe që Siria të tërheqë trupat nga ky shtet.

Hezbollahu dhe Damasku kanë mohuar përfshirjen në këtë rast.

Vendimi i Gjykatës, vjen në një kohë të një krize të thellë politike në Liban, pas një shpërthimi të madh në Bejrut dhe nga një gjendje të vështirë ekonomike.

Aktgjykimet u shtyn gati dy javë si shenjë respekti për viktimat e shpërthimit të 4 gushtit në portin e Bejrutit që vrau rreth 180 njerëz, plagosi më shumë se 6,000 dhe la një çerek milioni tjerë me shtëpi të shkatërruara./REL