Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Vrasja e Ibush Kllokoqit, nuk mbahet seanca ndaj të akuzuarit për vrasje të rëndë

Në gjykimin ndaj F.G., i akuzuar për vrasje të rëndë dhe vrasje të rëndë në tentativë, seanca e datës 25.10.2024 nuk është mbajtur.

Kjo për arsye të gjendjes shëndetësore të të pandehurit.

Trupi gjykues vendosi që të ftohet eksperti mjekësor që të japë mendimin e tij se a mund i akuzuari F.G. t’i nënshtrohet procesit gjyqësor dhe varësisht prej mendimit të ekspertit Gjykata do të procedojë më tej me çështjen.

F.G. akuzohej se në bashkëkryerje me Nazim Bllacën e të tjerë ka kryer vrasje të rëndë ndaj Ibush Kllokoqit.

Për të akuzuarin F.G. në vitin 2015 nga gjyqtarët e EULEX-it ishte veçuar procedura për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

Për F.G., i cili është i akuzuar edhe në rastin “Toka”, në vitin 2022  ishte veçuar procedura për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

Paraprakisht, mbrojtësi i të akuzuarit F.G., avokati Tahir Rrecaj, i propozoi trupit gjykues që të përjashtohen mediat dhe publiku në seancë për arsye të gjendjes shëndetësore të të akuzuarit F.G.

Propozimin e avokatit Rrecaj nuk e kundërshtoi prokurorja Arberesha Raqa-Shala.

Ndërsa trupi gjykues mori aktvendim duke e kundërshtuar propozimin e avokatit Rrecaj me arsyetimin se për këtë proces juridiko-penal janë zhvilluar edhe seanca të tjera të cilat kanë qenë publike.

Mirëpo, kërkoi nga mediat të mos cenohet privatësia e të akuzuarit.

Prezent në seancë ishte edhe mbrojtësja e viktimave, Mema Mjeku.

Ndryshe në këtë seancë ishte paraparë të jepej fjala hyrëse.

Ky shqyrtim gjyqësor ka filluar rishtazi për arsye të ndryshimit të anëtarëve të trupit gjykues.

Trupi i ri gjykues është i përbërë nga Vesel Ismajli –kryetar dhe anëtarët Valon Kurtaj dhe Ngadhnjim Arrni.

F.G.  është i akuzuar me aktakuzë të prokurorit special të Misionit Europian për Sundimin e Ligjit.

Ai akuzohej se në bashkëkryerje me Nazim Bllacën e të tjerë kryen vrasje të rëndë ndaj Ibush Kllokoqit.

Për këtë vrasje Nazim Bllaca kishte bashkëpunuar me Prokurorinë, e kishte pranuar fajin dhe i është shqiptuar dënim prej 4 vjet e 6 muaj burg.

“F.G. është personi që ia ka dhënë Nazim Bllacës revolen “Scorpion” për të vrarë Ibush Kllokoqin. Shpresim Uka ka pritur afër shtëpisë së viktimës, derisa Nazim Bllaca, Sadik Abazi, F.G., dhe Bekim Syla kanë trokitur në derën e shtëpisë së Kllokoqit. Kur viktima është paraqitur në derë, Bllaca e ka qëlluar” – përshkruhet në aktakuzë mënyra si është vrarë Ibush Kllokoqi.

Nazim Bllaca e ka pranuar fajin, thuhet edhe në aktakuzë

Siç dihet, Nazim Bllaca fillimisht ka pranuar vrasjen e viktimës Ibush Kllokoqi në një deklaratë të xhiruar. “Më 30 nëntor 2009, kur ai është intervistuar si i pandehur, z. Bllaca përsëri ka pranuar përgjegjësinë e tij”.

Sipas prokurorit, dy gjykimet — ai ku F.G. është akuzuar për krime të luftës kundër popullatës civile dhe tjetri, ku pesë persona janë gjykuar për vrasje –janë zhvilluar bazuar në deklaratat e Bllacës.

F.G. gjithashtu është i akuzuar edhe në rastin “Toka”, për krim të organizuar, shpëlarje parash, marrje e mitës, mashtrim i rëndë e vepra të tjera.