Vrasja e gruas shtatzënë, Kurti: Kosova i ka më pak se 10 mijë policë e më shumë se 300 mijë familje

Pas vrasjes së gruas shtatzënë në oborrin e QKUK-së nga i dyshuari burri i saj, kyeministri i Kosovës, Albin Kurti në qëndrimin e tij të dytë publik, ka përmendur kapaciteteve policore në trajtimin e këtyre rasteve.

Kurti është kritikuar nga zyrtarë të partive opozitare në vend në lidhje me deklaratat e fundit për rastin e vrasjes së 35-vjeçares.

Kryeministri të enjten në Facebook, ka shkruar se Kosova i ka më pak se 10 mijë policë e më shumë se 300 mijë familje.

“Dhuna në familje në Kosovë është më e përhapur sesa që e paramendojmë dhe pranojmë çdonjëri prej nesh. Dhunë ndaj grave dhe dhunë ndaj fëmijëve gjithandej. Me lëndime të thella shpirtërore e të dukshme fizike. Pothuajse secili qytetar në Kosovë e din dhe njeh së paku një familje ku kishte apo ka dhunë”- ka shkruar Kurti.

Sipas Kurtit, qytetarët duhet ta ngrejnë zërin kundër burrave që ngrejnë dorë mbi gruan.

“Duhet të heqim dorë nga paragjykimi patriarkal ‘nderi burrëror – gruaja shërbëtore’. Aktet e dhunës vijnë nga sjelljet dhunuese që vijnë nga kjo mendësi e ‘padhunshme’. Qytetarët e Kosovës, e në veçanti shqiptarët të cilët e konsiderojnë veten patriotë, duhet ta ngrejnë zërin kundër burrave që ngrejnë dorë mbi gruan”- ka shkruar ai.

Kurti ka shtuar se “zgjimi shoqëror” ndaj këtyre rasteve, “edhe po ngjan vonë edhe po zgjat shkurt”.

“Kur vritet gruaja tashmë është bërë vonë. Zgjimi shoqëror edhe po ngjan vonë edhe po zgjat shkurt. Një a dy protesta të nesërmen, dhe: mirupafshim pas vrasjes së ardhshme. Gratë që vriten në familje janë ato që kanë rezistuar ndaj dhunës së burrit”- thuhet mes tjerash në shkrimin e kryeministrit.

Kryeministri Albin Kurti, është kritikuar në lidhje me postimin e mbrëmshëm në Facebook, pas rastit të vrasjes së gruas shtatzënë 35-vjeçare në oborr të QKUK-së, duke u thirrur në atë që një burrë do të duhej të mbronte një grua, dhe pasi ka përmendur elemente nacionaliste e politike në qëndrimin e tij.

“Edhe një burrë që qëllon mbi gruan që duhej ta mbronte. Edhe një burrë që vret një grua. E cila tash është e jona, e të gjithë neve. Bashkë me foshnjen e palindur të saj. Dy qytetarë të Kosovës më pak, dy shqiptarë më pak, do të jenë duke menduar armiqtë tanë. E papranueshme dhe e padurueshme”-kishte shkruar mes tjerash Kurti mbrëmë në Facebook.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka kërkuar nga Kurti që të fshijë statusin në Facebook e të kërkojë falje.

“Kryeministër, fshije këtë status dhe kërko falje. “Edhe një burrë që qëllon mbi gruan që duhej ta mbronte.” ✖️ “…dy shqiptarë më pak, do të jenë duke menduar armiqtë tanë.” ✖️”- thuhet në publikimin  e saj në Facebook.

Me reagim ndaj Kurtit ka dalë edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Ai ka shkruar në Facebook se kryeministri po flet si analist dhe si opozitar.

“Kryeministri na flet si analist e si opozitar.  Ende nuk e kupton që është udhëheqës i shtetit. Nëse do shërbime më të mira spitalore – dhe siguri brenda spitaleve tona – të mos presë mbi 100 ditë për të vënë një ministër të shëndetësisë. Të tretin në më pak se dy vite qeveri”- ka shkruar Abdixhiku.

Sipas kreut të LDK-së, Kurti nëse do përgjegjësi, “le të merret me ministrin e Brendshëm të tij dhe gjithë zinxhirin komandues, të cilin vetë e ka caktuar ai – nga Drejtori i Policisë e poshtë”.

“Po të donte rend e ligj, nuk do ta linte shtetin pa Kryeprokuror tash e një vit e nuk do t’ia zbriste pagat gjithë sistemit të drejtësisë, për të shkaktuar kaos aty. Një sistem i tërë drejtësie është në greve; mbi 500 lëndë në ditë shtyhen si pasojë e kësaj përplasjeje të panevojshme”- thuhet në publikimin e tij.

35-vjeçarja shtatzënë që u vra mbrëmë në oborr të QKUK-së, nga i dyshuari burri i saj kishte udhër-mborjtjeje.

S.H., i dyshuari për vrasjen e gruas shtatzënë në hyrje të Klinikës së Gjinekologjisë, është dënuar në shtator të këtij viti me gjobë për armëmbajtje pa leje.

Gjykata Themelore në Ferizaj ka konfirmuar për KALLXO.com se i dyshuari, me datë 23 shtator të këtij viti është shpallur fajtor për mbajtje në pronësi të armës pa leje dhe ndaj të njëjtit është shqiptuar dënimi me gjobë.

Tutje sipas Gjykatës Themelore në Ferizaj, një tjetër rast i evidentuar për të dyshuarin S.H., është edhe ai i dhunës në familje, i cili ishte raportuar në korrik të këtij viti në polici.

Me datë 10 gusht të këtij viti, Prokuroria në Ferizaj ka ngritur aktakuzën për të dyshuarin për veprën penale të kanosjes më saktësisht neni 181 i Kodit Penal i lidhur me paragrafin 4 të këtij neni i cili thotë se “Kushdo që kryen vepër penale nga ky nen ndaj viktimës së ndjeshme ose me përdorim të armës, mjetit të rrezikshëm ose ndonjë sendi tjetër me të cilin mund të shkaktohet lëndimi trupor ose dëmtimi i rëndë për shëndetin, dënohet me burgim prej një (1) deri në pesë (5) vjet”.

I dyshuari për vrasjen e gruas shtatzënë ishte dënuar në shtator me gjobë për armëmbajtje pa leje