Vrasja e gruas në Prishtinë, reagon ministrja Haxhiu
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar ndaj vrasjes së mësimdhënëses në Prishtinë, që dyshohet ta ketë kryer burri i viktimës.
Ajo e quajti këtë lajm tronditës dhe fenomenin e vrasjes së grave prej burrave të tyre, tejet shqetësues.
“Ky lajm, kjo vrasje e rëndë, na pikëllon thellë të gjithëve, por ne do të gjejmë edhe më shumë forcë, drejt ngritjes së vetëdijes qytetare dhe përgjegjësisë institucionale. Drejt luftës ndaj dhunës. Drejt vënies së drejtësisë.” – tha Haxhiu.
Ajo tregoi se lajmin e ka marrë rrugës drejt aktivitetit të parë të Kampanjës “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore”.
“Në mëngjesin e sotëm, rrugës drejt aktivitetit të parë të Kampanjës ’16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore’, aktivitetit në shkollë me nxënës dhe arsimtarë, mora lajmin tronditës: Një grua vritet nga burri i saj. Një arsimtare e një shkolle në Prishtinë.” – thuhet në reagimin e saj.
Kjo fushatë ndërkombëtare vjetore filloi sot, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe zgjat deri më 10 dhjetor, në Ditën e të Drejtave të Njeriut.
Viktima 63-vjeçare dyshohet të jetë vrarë me sëpatë në orët e hershme të ditës së hënës, në Prishtinë, nga bashkëshorti i saj.
I dyshuari, 70 vjeçar është vetëdorëzuar në polici.
“Prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, bashkë me njësitë relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes, me ç’ rast kanë ndërmarrë veprimet hetimore, si dhe në vendin e ngjarjes është sekuestruar sëpata me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, ndërsa me urdhër të prokurorit është dërguar për obduksion trupi i pa jetë”- thuhet tutje në njoftimin e prokurorisë.
Sipas prokurorisë, aktualisht nga hetimet fillestare ende nuk është arritur që të zbulohet motivi i vrasjes.
“Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të ushtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, si dhe në koordinim me policinë do të vazhdojë ndërmarrja e veprimeve hetimore për t’i sqaruar në plotëni rrethanat e këtij rasti”- thuhet në fund të njoftimit.