Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Vrasja e grave të trajtohet me urgjencë”, qytetarë e aktivistë protestojnë para Ministrisë së Drejtësisë

Dhjetëra aktivistë nga shoqëria civile dhe qytetarë po protestojnë para Ministrisë së Drejtësisë, pas rastit të fundit në Ferizaj ku vdiq një 18 vjeçare, e cila dyshohet se është vrarë.

Policia e Kosovës deri më tani ka arrestuar 2 persona të dyshuar për vrasjen e 18 vjeçares.

“Ministria i ka duart me gjak”, “ Edhe sa thirrje të humbura?”, “Prokurorët i kanë duart me gjak”, “Kush na mbron prej Qeverisë?”, “ Mos i mbroni vrasësit”, “Krejt vrasësit e grave po iu dalin recidivista”, “Mos i lëshoni kriminelët me procedurë të rregullt”, janë disa nga thirrjet e parullat e protestuesve.

Gjatë kësaj proteste njëra nga aktivistet, në emër të të gjithë protestueseve kërkoi monitorim dhe sanksionim të gjykatësve dhe prokurorëve të Kosovës.

“Kërkojmë monitorim sanksionimi të gjykatësve dhe prokurorëve të Kosovës që nuk i trajtojnë raste sipas kodit penal të Kosovës dhe konventës së Stambollit. Kërkojmë llogaridhënie nga këshilli gjyqësor e prokurorial i Kosovës dhe inspektorëve Policor për këto raste të shkeljes. Plan konkret nga qeveria e Kosovës me bazë ligjore. Monitorim, sanksionim, shkarkim. Drejtësi për gratë e vrara”, u shpreh ajo.

Protesta po vazhdon deri tek Qeveria e Kosovës.

Të dielën, dy të dyshuar dërguan në Spitalin e Ferizajt një vajzë 18-vjeçare pa shenja jete.

Hetimet deri tani thonë se 18 vjeçarja u keqtrajtua dy ditë deri në vdekje, ndërsa u la në Spitalin e Ferizajt pa shenja jete. Ndërsa njëri prej të dyshuarve për vrasjen e saj, ishte lënë pa një vendim meritor nga gjykata, që 6 vite, edhe pse ndaj tij ishte ngritur një aktakuzë për tentim vrasje.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

 

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

 

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

 

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

 

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com