Foto: KALLXO.com

Vrasja e grave, Kosova ende "në luftë" me petkun patriarkal

Dita Ndërkombëtare e Gruas edhe këtë vit e gjeti Kosovën nën thirrjet që kundërshtojnë vrasjen e grave.

Marshime nëpër rrugë me pankarta në duar e me parulla dhe thirrje për të ndalur vrasjen, dhunën, diskriminim ndaj grave dhe mentalitetin patriarkal janë disa prej aktiviteteve të cilat zhvillohen nga organizatat feministe tash e sa vite në Kosovë.

Megjithatë, dhuna dhe vrasjet ndaj grave, janë ende një shqetësim në shoqërinë kosovare.

Të dhënat zyrtare, tregojnë se gratë preken më së shumti nga dhuna në familje.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur për KALLXO.com se gjatë vitit 2021 janë raportuar 2 mijë e 456 raste të dhunës në familje.

Sipas tyre, nga totali i 2 mijë e 486 personave të prekur nga dhuna në familje, 1 mijë e 986 kanë qenë gra, dhe 500 burra.

Të dhënat e Policisë tregojnë se në tri vite, tetë gra u vranë nga burrat e tyre.

Në vitin 2021 janë regjistruar dy raste të vrasjeve të grave nga bashkëshortët e tyre. I njëjti numër figuron të jetë edhe për vitin 2020, kurse shifër më e madhe e viktimave gra të vrara nga bashkëshortët e tyre del të jetë më 2019 ku numri i viktimave figuron të jetë katër.

Këpucët me ngjyrë të kuqe tëvendosura në Prishtinë, që simbolizojnë vrasjen e grave – 8 mars 2022, Foto: KALLXO.xom

Policia e Kosovës thotë se që nga themelimi i ka trajtuar me seriozitetin e duhur rastet e dhunës në familje.

“Ndër vite policia ka realizuar edhe fushata vetëdijësuese për pasojat e dhunës në familje duke e potencuar në vazhdimësi se dhuna nuk ndalet pa u raportuar, pa u trajtuar nga organet kompetente”, thuhet në përgjigjen e tyre për KALLXO.com.

“Rastet e dhunës në familje janë raste të ndjeshme, dhe qasja e policisë karshi rasteve të dhunës në familje është si parandalimi për dhunën në njërën anë dhe si dhe trajtimi i rasteve më seriozitet, ka bërë që raste e tilla të vijnë duke u raportuar më shpesh, ndër vite”, vijon përgjigje e Policisë.

Rastet e dhunës në familje në secilin stacion policor, sipas PK, trajtohen nga zyrtarë policorë që kanë kryer trajnime shtesë për raste të tilla, por siç theksojnë, rastet e tilla gjithashtu trajtohen në bashkëpunim të ngushtë me Qendrat për Punë Sociale, Mbrojtësit e Viktimave dhe natyrisht me organet e drejtësisë.

“Sidomos, raste kur janë të përfshirë fëmijët si viktimë prania e punëtorit të QPS-së është e domosdoshme”, thuhet në përgjigjen e këtij institucionit të sigurisë.

Aspekti sociologjik

Rëndësinë dhe nevojën e mbështetjes së grave nga ana institucionale e vlerëson edhe sociologu Genc Xërxa i cili thekson se promovimi i të drejtave të grave dhe emancipimi i tyre duhet të jenë gjithmonë të pranishme që të arrihet ngritja e pozitës së gruas në shoqëri, ekonomi dhe vendimmarrje.

“Me emancipimin e gruas krahas duhet te shkoj edhe emancipimi i burrit…. Pra, mos t’i mbetet detyrimisht amvisëria vetëm gruas por ta ndajë me burrin apo partnerin e saj. Pasi që edhe asaj t’i lihet kohë për veten e saj që të zhvilloj jetën e saj sociale, në ndihmesë së pari të saj, familjes dhe në ngritjen e kapaciteteve institucionale të përfaqësimit me afirmimin e pozitës së gruas në shoqëri.”

Sipas tij dhuna në familje ndaj grave mund të vijë si pasojë e faktorëve degradues psikologjik dhe social, ku shpesh problemet ekonomike dhe nënvlerësimi i individit janë shkaqe që krijojnë ngarkesa të ndryshme psikologjike, e që këto të fundit pasojnë në dhunë.

“Jeta e rëndë ekonomike, statusi i nënvlerësuar social i individit krijon ngarkesa të ndryshme psikologjike për të dhe është i gatshëm për konflikt sapo hapen kërkesat e ndryshme familjare që duhen të përmbushen. Në pamundësi për t’i përmbushur ndaj fëmijëve apo vartësve të tij, partnerit, ai është i prirur shumë lehtë për situata konfliktuoze e me raste edhe shpërfaqje të dhunës kur nuk arrin t’i bind vartësit me narracionin e tij për situatën e mjerë të krijuar.” Shprehet ai.

Ndërkaq, në janar të këtij viti ishte bërë publik vrasja e një gruaje në fshatin Llaushë të Skenderajt, ku viktima L.Q ishte qëlluar me armë zjarri 6 herë nga bashkëshorti i saj S.Q.

Lidhur me këtë rast ka pasur reagime të shumta ku ndër to edhe Rrjeti i Grave të Kosovës kishte bërë thirrje për dënim maksimal për dorasin.

Këtë rast, Fjolla Muçaj nga Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” e konsideron si pasojë të neglizhencës së institucioneve shtetërore ndaj një raportimi të dhunës që viktimës i kishte ndodhur e që pastaj përfundoi me fatalitet.

Muçaj shton se ky rast është vetëm një prej shembujve që tregon se sa të pasigurta janë gratë dhe vajzat në ambiente ku ato ndajnë hapësirën me burra dhunues e vrasës. “Kjo situatë e pasigurtë bëhet edhe më e frikshme kur institucionet shtetërore bëhen ndërmjetësuese të vrasjes dhe dhunës ndaj grave”.

Një gjë të tillë e pohon edhe njohësja e çështjeve gjinore, Mirishahe Syla, e cila thotë se bazuar në fuqinë ligjore që mbajnë institucionet përgjegjësia e tyre është më e madhe se sa thjesht mbajtja e ligjëratave nëpër shkolla apo shpërndarja e fletushkave vetdijësuese.

“Përgjegjësia e tyre është shumë më e madhe në këtë proces, në vetëdijesimin kundër dhunës, dhe vetëdijesimi më i mirë i mundshëm prej tyre do të ishte pikërisht në trajtimin serioz dhe ashtu siç shihet me ligj të këtyre rasteve”.

Syla po ashtu ka potencuar se krahas progreseve që mund të jenë bërë në njohuritë e shoqërisë rreth ligjeve, mundësive për të raportuar krime të ndryshme dhe mundësive për të raportuar dhunën në baza gjinore, pengesa në këtë situatë vazhdojnë të mbeten besimet dhe mentaliteti patriarkal që viktimën e shohin si fajtore.

“Kështu që është pak problematike kjo sado që ndoshta njohuritë po shkojnë duke u rritë, në të njëjtën kohë këto njohuri sfidohen shumë nga besimet tona, mentaliteti ynë goxha patriarkal”, është shprehur Syla teksa ka dhënë një mesazh për gratë që po përjetojnë dhunën në familje apo në raport bashkëshortor duke thënë se ato duhet ta dinë se nuk janë të vetme dhe se secili njeri mund të kontribuojë sadopak në përmirësimin e kësaj dukurie.

“Unë po besoj të gjitha gratë që janë duke përjetuar dhunë në familje, fatkeqësisht janë shumë gra të forta sepse në shoqërinë tonë shpesh duhet të jesh shumë ë fortë për të mbijetu, mirëpo do të doja që të gjitha ta dinin ndoshta që nuk janë vetëm, ka fatkeqësisht shumë të tjera që kalojnë nëpër të njëjtat situate, nëpër të njëjtat sfida, mirëpo po ashtu nuk janë të vetme sepse ka një shtet, ka organizata të shumta, është një shoqëri e tërë që është me to”.

Këtë 8 Mars dhjetëra aktivistë e qytetarë u mblodhën në Prishtinë për të protestuar kundër abuzimit dhe vrasjes së grave.

Pikënisje e kësaj proteste ishte Pallati i Drejtësisë ku përmes thirrjeve të ndryshme dhe parullës “Edhe sa gra të vrara” u kërkua llogaridhënie nga institucionet përkatëse.

Protestuesit hodhën ngjyrë të kuqe në drejtim të Pallatit të Drejtësisë, duke vazhduar më pas marshin e tyre i cili destinacion të radhës kishte sheshin “Zahir Pajaziti” e deri tek Qeveria e Kosovës.

Dështimet e zinxhirit institucional në mbrojtjen e grave