Foto: KALLXO.com
Vrasja e dyfishtë në Klinë, në vendngjarje u sekuestruan tri gëzhoja
Dy persona u vranë mbrëmë, më 13.11.2024, në një lokal në sheshin “Mujë Krasniqi” në Klinë.
Një person u arrestua, i dyshuari J.H., i cili u dërgua në mbajtje për 48 orë, njofton Policia e Kosovës.
Sipas njoftimit policor, në vendin e ngjarjes për këtë rast është sekuestruar një revole, një karikator, katër fishekë dhe tri gëzhoja.
Policia tha se njëri nga viktimat ka vdekur në vendin e ngjarjes, teksa tjetri fillimisht ishte dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Klinë, më pas në Spitalin Rajonal të Pejës.
Nga njoftimi i Policisë u kuptua se viktima, sipas mjekut kujdestar, në Spital ishte dërguar i vdekur.
KALLXO.com ka raportuar nga vendi i ngjarjes lidhur me këtë rast. Më 13.11.2024, para mediave u deklaruan prokurorja e Prokurorisë së Pejës, Sahide Gashi dhe drejtori i Policisë Rajonale të Pejës, kolonel Shaban Shala.
Të pyetur se cilat janë motivet e këtij rasti tragjik, prokurorja dhe drejtori i Policisë thanë se ende nuk dihet se çka çoi te vrasja.