Foto: KALLXO.com
Vrasja e dyfishtë në Klinë, kryetari i Komunës i shpreh ngushëllime familjes Shlivova
Një vrasje e dyfishtë ka ndodhur më 13.11.2024 në qendër të Klinës.
Lidhur me këtë rast ka reaguar kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, i cili i ka shprehur ngushëllime familjes së viktimave.
“Me dhimbje e pikëllim të madhe e kam marrë lajmin për rastin e sotëm, ku mbeten të vdekur Rexhep dhe Albison Shlivova nga fshati Jashanicë. Ky lajm i papritur e i kobshëm tronditi thellë jo vetëm familjen e dy të ndjerëve, por na preku thellë të gjithëve” – tha Elezaj.
“Në emrin tim dhe të komunës së Klinës ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes Shlivova, miqve dhe të gjithë atyre që i kanë njohur Rexhepin dhe Albisonin” – vazhdoi tutje ai.
Organet e rendit kanë konfirmuar se një person është arrestuar si i dyshuar për këtë rast.
E gjithë ngjarja u zhvillua në një lokal në sheshin “Mujë Krasniqi”, e siç bëhet e ditur nga burimet e KALLXO.com njëri nga trupat e viktimave është ende në vendin e ngjarjes.
Pamjet që ka siguruar KALLXO.com tregojnë se në afërsi të lokalit ku ndodhi rasti janë ende ekipet e Policisë. Në vendin e ngjarjes u panë edhe ekipe të Forenzikës.
Për rastin që ndodhi sot, më 13.11.2024, para mediave u deklaruan prokurorja e Prokurorisë së Pejës, Sahide Gashi dhe drejtori i Policisë Rajonale të Pejës, kolonel Shaban Shala.
Të pyetur se cilat janë motivet e këtij rasti tragjik, prokurorja dhe drejtori i Policisë thanë se ende nuk dihet se çka çoi te ky rast.
Ata thanë se është arrestuar i dyshuari.
Shala deklaroi se viktimat dhe i dyshuari janë të rinj në moshë.
“Ende është herët, nuk kemi informacione se cilat janë motivet” – tha ai.
Në anën tjetër, prokurorja Gashi deklaroi se janë duke mbledhur prova dhe janë duke ekzaminuar vendin e ngjarjes.
“Trupat e viktimave është urdhëruar që të dërgohen për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë” – theksoi prokurorja.
Tutje ajo shtoi se detajet e tjera do të bëhen publike ditëve në vijim duke thënë se është shumë herët për të dhënë çfarëdo mendimi apo konstatimi për motivet.