Foto: KALLXO.com
Vrasja e dyfishtë në Klinë, ende nuk dihen motivet e ngjarjes
Dy persona kanë vdekur pas të shtënave me armë zjarri në një lokal në qendër të Klinës.
Për rastin që ndodhi sot, më 13.11.2024, para mediave u deklaruan prokurorja e Prokurorisë së Pejë, Sahide Gashi dhe drejtori i Policisë Rajonale të Pejës, kolonel Shaban Shala.
Të pyetur se cilat janë motivet e këtij rasti tragjik, prokurorja dhe drejtori i Policisë thanë se ende nuk dihet se çka çoi te ky rast.
Ata thanë se është arrestuar i dyshuari.
Shala deklaroi se viktimat dhe i dyshuari janë të rinj në moshë.
“Ende është herët, nuk kemi informacione se cilat janë motivet” – tha ai.
Në anën tjetër, prokurorja Gashi deklaroi se janë duke mbledhur prova dhe janë duke ekzaminuar vendin e ngjarjes.
“Trupat e viktimave është urdhëruar që të dërgohen për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë” – theksoi prokurorja.
Tutje ajo shtoi se detajet e tjera do të bëhen publike ditëve në vijim duke thënë se është shumë herët për të dhënë çfarëdo mendimi apo konstatimi për motivet.