Vrasja e Ayman al-Zawahirit trondit qeverinë afgane

Presidenti Joe Biden tha të hënën se një sulm amerikan me raketë gjatë fundjavës vrau kreun e al-Kaidës, Ayman al-Zawahiri, i cili ishte një nga terroristët më të kërkuar në botë. Kjo është goditja më e madhe për grupin militant që kur themeluesi i tij Osama bin Laden u vra në vitin 2011.

Ai ishte njeriu më i kërkuar në planet, si kreu i al-Kaidës, grupi i frikshëm terrorist islamik që krijoi degë në mbarë botën pas sulmeve tronditëse në tokën amerikane më 11 shtator 2001.

Presidenti Joe Biden,tha se tani ai nuk është më një kërcënim.

“Drejtësia shkoi në vend. Ky udhëheqës terrorist nuk është më. Njerëzit në mbarë botën nuk kanë më nevojë të kenë frikë nga vrasësi i rrezikshëm dhe i vendosur. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të demonstrojnë vendosmërinë dhe kapacitetin për të mbrojtur popullin amerikan kundër atyre që kërkojnë të na dëmtojnë. Ne e bëjmë të qartë sërish sonte: se sado kohë të zgjasë, kudo që të fshiheni, nëse jeni një kërcënim për popullin tonë, Shtetet e Bashkuara do t’ju gjejnë dhe do t’ju asgjesojnë”, tha presidenti Biden.

Sulmi amerikan me dron të dielën në mëngjes që vrau al-Zawahirin, në Kabul, tërhoqi zemërimin e qeverisë talebane të vendit, e cila mori kontrollin më pak se një vit më parë pas tërheqjes së trupave amerikane dhe NATO-s pas dy dekadash në Afganistan.

Zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë thanë se operacioni kishte në shënjestër një shtëpi në Kabul dhe u krye nga një mjet ajror pa pilot, pa personel amerikan në terren. Zyrtarët e administratës thanë gjithashtu se ata arritën në përfundimin me “besim të plotë” se vetëm al-Zawahiri u vra dhe se ata ishin të vetëdijshëm se anëtarët e lartë të rrjetit Haqqani të Talibanëve e dinin se ai ishte në Afganistan. Zyrtarët thanë se nuk i lajmëruan talebanët përpara sulmit.

Zëdhënësi i grupit e dënoi sulmin si një “shkelje të hapur të parimeve ndërkombëtare dhe marrëveshjes së Dohas”, të cilat janë bisedimet e vitit 2020 që udhëheqësit talebanë zhvilluan me udhëheqësit e SHBA-ve dhe perëndimorëve në Katar për tërheqjen e trupave amerikane dhe aleatëve vitin e kaluar.

“Emirati Islamik i Afganistanit dënon fuqishëm këtë sulm me çfarëdo preteksti”, tha zëdhënësi i talebanëve Zabihullah Mujahid.

SHBA sulmoi Afganistanin menjëherë pas sulmeve të 11 shtatorit dhe kreu i al-Kaidës Osama bin Laden ishte objektivi kryesor. Forcat amerikane e vranë atë në Pakistan në vitin 2011.

Al-Zawahiri, një kirurg i lindur në Egjipt, dikur doktor i bin Ladenit, mori përsipër grupin terrorist në vitin 2011.

Presidenti Biden tha se vrasja mund të çojë në një epokë të re.

“Tani ne kemi eliminuar emirin e al-Kaidës. Ai kurrë më – kurrë më – nuk do të lejojë që Afganistani të bëhet një strehë e sigurt e terroristëve sepse ai është larguar dhe ne do të sigurohemi që asgjë tjetër të mos ndodhë. Kjo mundet të sjell ” një platformë veprimesh kundër Shteteve të Bashkuara. Ne do të kujdesemi që kjo të mos ndodhë”.

Vitet e fundit, al-Kaida ka vazhduar të zgjerohet, në Lindjen e Mesme, Afrikën Perëndimore dhe Lindore dhe Azinë Jugore./VOA