(Ilustrim) Shaban Gogaj i përcjellë nga Njësia për Bartjen e të Burgosurve - Foto: KALLXO.com
Vrasja e Agonis Tetajt, të dënuarit Shaban Gogaj i refuzohet kërkesa për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit me burgim
Shaban Gogajt, i dënuar për vrasjen e Agonis Tetajt, i është refuzuar kërkesa për shtyrje të ekzekutimit të dënimit.
Gjykata Themelore në Pejë ka marrë aktvendim duke refuzuar kërkesën e avokatit Besnik Berisha, për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit për të dënuarin Shaban Gogaj.
Po ashtu Gjykata e Pejës e ka obliguar të njëjtin që të lajmërohet në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë për fillimin e mbajtjes së dënimit, pas plotfuqishmërisë së këtij aktvendimi.
“Më datën 21.11.2024, i dënuari SH. G., përmes te autorizuarit të tij avokatit Besnik Berisha, ka parashtruar kërkesë për shtyrje të ekzekutimit të dënimit, me arsyetimin se i dënuari SH. G., është në gjendje të rënduar të shëndetit mendor për shkak se i njëjti ka qëndruar nën masën e paraburgimit për një periudhë prej me shumë se gjashtë (6) vitesh, gjatë kësaj kohe nuk ka pasur të drejtë t’i shfrytëzoj asnjërin nga beneficionet e parashikuara për të dënuarit”– thuhet në aktvendimin e Gjykatës së Pejës.
“Kjo periudhë e gjatë e izolimit, i ka rënduar veçanërisht pozicionin personal dhe social, me pasojë sëmundjen mendore, për shkak të së cilës gjatë kohës sa ishte në paraburgim kishte kriza të shumta psikologjike, shpeshherë me tendenca vetëvrasësese, e që si pasojë, më datë 24.04.2020, Institucioni korrektues e kishte konsideruar si person potencial për të kryer vetëvrasje, duke e vendosur në programin “përcaktimi i rrezikut për vetëvrasje””– thuhet tutje në aktvendimin e Gjykatës së Pejës.
Mirëpo sipas aktvendimit të Gjykatës së Pejës të cilin e ka siguruar KALLXO.COM thuhet se pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, duke vlerësuar kërkesën për shtyrje të ekzekutimit të dënimit dhe provave të bashkëngjitura ka konstatuar se kërkesa është e pabazuar pasi, sipas vlerësimit të gjykatës të dhënat e parashtruara në kërkesë nga ana e të dënuarit, nuk kanë bazë të mjaftueshme ligjore për të cilat gjykata do të vendoste për shtyrjen e vuajtjes së dënimit.
“Kërkesën për shtyrje të ekzekutimit të dënimit mbështetur në nenin 20 par.1 pika 1.1 të LESP-së me arsyetimin se i dënuari është në gjendje të rëndë të shëndetit mendor, gjykata e gjeti si të pabazuar për faktin se shërbimi mjekësor që ofrohet brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës është i mjaftueshëm për trajtimin e të dënuarit dhe ruajtjen e gjendjes së tij shëndetësore stabile”– thuhet në vendimin e Gjykatës së Pejës.
“Fakt ky i cili vërtetohet edhe nga deklarimet e të autorizuarit të të dënuarit të potencuara në kërkesë, ku deklaron se i dënuari edhe gjatë kohës sa ka qenë në paraburgim respektivisht që nga viti 2020, është trajtuar nga mjekët adekuat të Institucionit Korrektues pasi që kishte kriza të shumta psikologjike, dhe ishte konsideruar si person potencial për të kryer vetëvrasje, e në rast nevoje i njëjti mund të trajtohet edhe jashtë burgut sipas rregullave të brendshme të Shërbimit Korrektues të Kosovës”– thuhet tutje në vendimin e Gjykatës së Pejës.
Gjykata e Apelit ia kishte zbutur dënimin Shaban Gogajt në 6 vjet e gjysmë burg.
Këtë vendim e kishte marrur kolegji i gjykatës së Apelit në përbërje prej, Kadrie Goga- Lubishtani, Hashim Qollaku dhe Valbona Musliu- Selimaj.
Gogaj nga Gjykata Themelore e Pejës për herën e dytë ishte gjetur fajtor për vrasje nga pakujdesia dhe për armëmbajtje pa leje dhe i kishte shqiptuar dënim unik prej 7 vjet e gjashtë muaj.
Ndërsa me vendim të Gjykatës Supreme më 24.10.2024 ishte liruar nga masa e paraburgimit.
Sipas aktakuzës se Prokurorisë, në vitin 2018, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj mori një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.
Tutje, aktakuza sqaron se Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të rafteve të dyqanit përballë tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të u larguan edhe dy dëshmitarët e rastit A. H. dhe F. Z.
Sipas dosjes së Prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj, nga karriga e anës së majtë të banakut kaloi në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxori revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendosi karikatorin dhe e mori në shenjë Agonis Tetajn dhe e qëlloi me plumb në kokë, duke e vrarë.
Viktima ishte punëtor në biznesin e të akuzuarit.
Raportimet e KALLXO lidhur me rastin i gjeni në LINK.