Vrasja e 35-vjeçares, për nesër paralajmërohet protestë

Një grua e moshës 35-vjeçare mbeti e vdekur sonte në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Ajo dyshohet se u vra me armë zjarri nga burri i saj.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka paralajmëruar se nesër do të mbahet protestë kundër vrasjes së grave në vend.

“Ne nuk mund të lejojmë që gratë të vriten a të jetojnë më frikë e dhunë deri në fund të jetës. Organizohemi e luftojmë kundër patriarkatit, shtetit e burrave dhunues e vrasës. Organizohemi për të thënë përfundimisht që vrasja nuk është çështje private. Ajo është çështje politike, rezultat dhune e shtypjeje strukturore ndaj grave. Organizohemi që asnjë grua të mos jetojë nën dhunë e frikë se një ditë do i vije rradha asaj. Nesër, ora 16:00, sheshi “Zahir Pajaziti”, Prishtinë”- thuhet në njoftim.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist theksoi se rasti i 35-vjeçares dhe rastet e tjera të vrasjes së grave janë alarm që shteti të trajtojë si urgjencë kombëtare vrasjen e grave nga burrat.

“Rasti i sotëm i femicidit dhe ai i para pesë ditëve, janë alarmet e fundit që shteti dhe shoqëria ta trajtojë si urgjencë kombëtare vrasjen e grave nga burrat. Janë sinjale që na ftojnë në organizim e revoltë. Ne thërrasim përfundimisht në organizim gjithëpopullor për t’i kundërshtuar luftës që na u është shpallur nga ky sistem i cili është duke synuar t’i shfarosë gratë”- thuhet në reagimin për media.

Edhe Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka reaguar për rastin e 35-vjeçares.

RrGK kritikoi organet e drejtësisë për mosndëshikimin e vrasëseve të grave në Kosovë.

“Brenda një jave, dy burra vranë dy gra. Nuk u vranë gratë! Burrat i vranë gratë! I vranë sepse institucionet i inkurajuan, me dënime të ulëta. I vranë sepse kultura e pandëshkueshmërisë, e forcon mendësinë patriarkale!Prandaj, ftojmë të gjithë ata që bashkëndjejnë të na bashkohen nesër në revoltë!”- thuhet në njoftimin e RrGK-së.