Vrasja e 23-vjeçarit në Klinë, ky është vendimi i Gjykatës për 5 të dyshuarit

Pesë personat e arrestuar nën dyshimin se kanë kryer veprat penale – vrasje e rëndë, vrasje në tentativë dhe ndihmë pas kryerjes së veprës penale, janë dërguar në paraburgim për 30 ditë.

Masa e paraburgimit u vendos nga Gjykata e Pejës pas kërkesës së Prokurorisë.

Avokati i njërit nga të dyshuarit, Gëzim Kollqaku, në një bisedë për KALLXO.com konfirmoi vendimin e Gjykatës se ndaj pesë të dyshuarve është vendosur masa e paraburgimit.

Sipas Kollqakut, vendimi i Gjykatës u arsyetua në disa pika.

“Vendimi është bazuar në pikat se ka rrezik të ikjes së të dyshuarve, ka rrezik se nuk janë pajtuar mes vete dhe ka rrezik të përsëritet vepra penale prapë”, tha avokati Kollqaku për KALLXO.com.

Sipas tij nga pesë të dyshuarit, njëri dyshohet për vrasje, një për ndihmë pas kryerjes së vrasjes dhe të tjerët për vrasje në tentativë.

Tri net më parë një ngjarje e rëndë kishte ndodhur në Klinë.

Një 23-vjeçar ishte vrarë ndërsa Policia në natën kritike kishte arrestuar pesë persona të dyshuar.

Në ngjarjen e rëndë të ndodhur në Klinë ishin plagosur edhe dy persona. Të njëjtit ishin dërguar për trajtim mjekësor.