Vrasja e 18 vjeçares në Ferizaj, i dyshuari A. S. ka siguruar avokat

Gjykata e Ferizajt, i ka caktuar mbrojtës të dyshuarit A. S.

Tani atë e mbron avokatja nga Ferizaj, Arbnora Shefkiu.

Kallxo.com ka kontaktuar me avokaten Shefkiu e cila ka thënë se është caktuar sipas detyrës zyrtare për ta mbrojtur të dyshuarin lidhur me vrasjen e 18 vjeçares në Ferizaj.

“Konsideroj se e kemi obligim ligjor, moral dhe profesional t`i përgjigjeni kërkesave të Gjykatës, Prokurorisë dhe Policisë”, ka thënë shkurt avokatja Arbnora Shefkiu.

Kujtojmë se avokati Avni Hysiqi dje ka refuzuar për ta mbrojtur të dyshuarin A. S., i cili nga Prokuroria po dyshohet se ka ndihmuar në vrasjen e 18 vjeçares në Ferizaj.

Sipas prokurorisë, gjatë gjithë kohës në vendngjarje ishte edhe i dyshuari me inicialet A.S. dhe se i njëjti ka marrë pjesë në keqtrajtimin e viktimës.

KALLXO.com ka siguruar kërkesën e paraburgimit ku janë përshkruar dyshimet e para që çuan në vrasjen e tashmë të ndjerës, 18-vjeçares M. O.

“Ekziston dyshimi i bazuar se më 22 gusht 2021, rreth orës 15:00, në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, në banesën e të pandehurit D. K., me dashje, në mënyrë mizore për motive të ulëta e keqtrajtuar viktimën”, thuhet mes tjerash në arsyetimin e kërkesës për paraburgim.

Dosja e prokurorisë për rastin e vrasjes ë 18 vjeçares thotë tutje se ajo u keqtrajtua për dy ditë radhazi deri në vdekje.

Sipas prokurorisë, gjatë gjithë kohës në vendngjarje ishte edhe i dyshuari tjetër me inicialet A. S.

Ai dyshohet se ka marrë pjesë në ushtrimin e dhunës duke kontribuar në vdekjen e 18 vjeçares.

Të dielën një vajzë 18 vjeçare ishte dërguar pa shenja jetë në emergjencën e spitalit të Ferizajt.

Policia e Kosovës kishte njoftuar se ajo ishte dërguar në spitalin nga dy persona, të cilët u identifikuan pas disa orësh.

Njëri nga të dyshuarit është arrestuar, ndërsa i dyshuari tjetër ende është në arrati.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari tha dje se shumë shpejt pritet arrestimi i të dyshuarit të dytë në lidhje me vrasjen e vajzës 18 vjeçare në Ferizaj.