Foto: KALLXO.com

Vrasja e 14-vjeçarit në Prishtinë, një muaj paraburgim ndaj 15-vjeçarit të dyshuar

Gjykata e Prishtinës ka caktuar një muaj paraburgim ndaj 15-vjeçarit që dyshohet se ka therur me thikë një të mitur dje në Prishtinë. Ky i fundit si pasojë e plagëve të shkaktuara ka vdekur.

Në njoftimin e Gjykatës është thënë se gjyqtarja e procedurës ka aprovuar si të bazuar kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të miturit E.V.

“Gjyqtarja e procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të miturit E.V. e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit  i  ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji”, është thënë në njoftim.

Tutje është thënë se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e ndalon ekzekutimin.

KALLXO.com dje gjatë ditës ka raportuar për rastin.

Lajmin për KALLXO.com e kishte konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Ahmeti kishte thënë se për vrasjen e viktimës ishte përdorur një thikë.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës kishte njoftuar se i dyshuari ishte dorëzuar në Polici.

“Pas një pune të vazhdueshme hetimore, policia ka arritë që të identifikoj personin e dyshuar lidhur me vrasjen që ka ndodhë sot në rrugën “Fahri Fazliu” në Prishtinë. Personi i dyshuar E.V, mashkull 15 vjeç, është dorëzuar në polici dhe i njëjti është në masën e arrestit policor”, thuhej në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Po ashtu, Policia kishte njoftuar se personit të dyshuar i është sekuestruar thika që dyshohet të jetë përdorur në rast.

Vdes pas therjes me thikë një i mitur rreth 14 vjeçar në Prishtinë