Vrajolli flet për dorëheqjen e tij nga u.d. Kryeshefi i Trepçës: Kryeministri më linçoi publikisht

Hysen Vrajolli ka dhënë sot dorëheqje nga pozita e Ushtruesit të Detyrës së Kryeshefit në “Trepçë”.

Në një bisedë për KALLXO.com, Vrajolli ka thënë se kishte presione nga ekzekutivi kosovar pas zhvillimeve të fundit në ndërmarrjen “Trepça”.

“Po, sot kam dhënë dorëheqje në mëngjes herët”, tha Vrajolli.

“Arsyeja ka qenë, se nuk e kam pas përkrahjen e mjaftueshme të Qeverisë të Kosovës. Ata në një farë mënyre e kanë shprehë gatishmërinë që unë me u largua prej kësaj pozite edhe unë e kam bë këtë me kënaqësinë më të madhe”, deklaroi ai.

Sipas tij, një konferencë e disa ditëve më parë e kryeministrit, Avdullah Hoti, ishte presion mbi të.

“Unë s’kam mujtë me i bajtë presionet më shumë prej të gjitha anëve edhe kam dhënë dorëheqje. Ata janë aksionari më i madh, e respektoj. Ka pas presione tërthorazi. Ju e keni dëgjua kryeministrin në konferencë çka ka thënë, ajo është një linçim publik që nuk kam mujtë me vazhdua më shumë”, deklaroi ai.

Hoti pas një takimi që kishte me Bordin e “Trepçës” kishte fajësuar menaxhmentin e kësaj ndërmarrje për problemet atje.

Qeveria do të ndajë 1.1 milion euro për Trepçën