Policia e Kosovës, Radar. Foto: KALLXO.com

Voziti mbi 100 kilometra në orë mbi shpejtësinë e lejuar, gjobitet nga policia

Policia e Kosovës ka gjobitur shoferin i cili ka vozitur me 237 kilometra në orë, në një zonë ku parashihej që shpejtësia të ishte vetëm 130 kilometra në orë.

Sipas policisë, përveç gjobës 300 euro, drejtuesit të makinës i është ndaluar për 3 muaj drejtimi i mjetit dhe i janë vendosur 3 pikë negative.

“Në zonën ku kufizimi i shpejtësisë është 130 km/h identifikohet shoferi duke drejtuar mjetin me 237 km/h (gjobitet me 300 euro, 3 pikë negative dhe 3 muaj i ndalohet drejtimi i mjetit me veprim motorik)”, thuhet në njoftimin e policisë.

Kundërvajtja ka ndodhur më 17 maj, në ora 10:07, në kilometrin e 25-të rrugës për në Prizren.

Policia ka theksuar se do të vazhdojnë me ndërmarrjen e masave dhe veprimeve policore ndaj kundërvajtësve të ndryshëm të cilët rrezikojnë sigurinë në trafikun rrugor.