Vozitësit gjobiten përmes fotografive që qytetarët ua dërgojnë policëve

Policia e Kosovës ka disa ditë që po pranon fotografi nga qytetarët, ku shihet se ngasësit e automjeteve nuk respektojnë rregullat në komunikacion. Këta të fundit pastaj po gjobiten.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka njoftuar se sot ka pranuar një informatë (foto dhe video) të një drejtuesi të automjetit, pjesëmarrës në komunikacion, i cili ka kryer kundërvatje, duke bërë tejkalim në vijë të plotë, në aksin rrugor, Gjilan-Prishtinë, në fshatin Llabjan.

“Njësia e Komunikacionit Rrugor nga Gjilani , menjëherë ka ndërmarr veprimet e nevojshme për identifikimin e kundërvajtësit, me ç’rast edhe i ka shqiptuar një gjobë, sipas ligjit mbi kundërvajtjet në komunikacion. Policia e Kosovës Drejtoria Rajonale e PK-së në Gjilan falënderon të gjithë ata që në mënyra të ndryshme kontribojnë në preventimin e aksidenteve me informata kredibile dhe apelon vozitësit, pjesëmarrës në komunikacion , që të respektojnë rregullat dhe ligjin e komunikacionit, në mënyrë që të mos kemi aksidente”, thuhet në njoftim.

Rast i njëjtë i gjobitjës së një ngasësi pas raportimit të një qytetari, ka ndodhur edhe në Komunën e Ferizajt. Sipas njoftimit të Policië së Kosovës, përkatësisht Drejtorisë Rajonale në Ferizaj, pasi kanë pranuar një informatë (foto dhe video) të një personi, pjesëmarrës në komunikacion, i cili ka kryer kundërvatje, duke bërë tejkalim në vijë të plotë, në aksin rrugor, Gjilan-Ferizaj, afër udhëkryqit që qon në fshatin Mirosale të Ferizajt, kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për identifikimin e kundërvajtësit, me ç’rast edhe i ka shqiptuar një gjobë, sipas ligjit mbi kundërvajtjet në komunikacion.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizajt, falënderon qytetarin që ka dërguar këtë informatë dhe apelon qytetarët, pjesëmarrës në komunikacion, që të respektojnë rregullat dhe ligjin e komunikacionit, për një siguri më të madhe në komunikacionin rrugor, thuhet në njoftimin e Policisë Rajonale të Ferizajt.