Presidentja Osmani fton qytetarët të marrin pjesë në procesin që determinon parlamentin dhe institucionet tjera

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka votuar rreth orës 11:45 në qendrën e votimit në Fakultetin Teknik në Prishtinë.

Osmani ka pritur disa minuta në radhë për të votuar, derisa një numër i qytetarëve që ishin në rend para saj, e kanë përfunduar procesin e votimit.

Pas votimit, e para e shtetit është deklaruar për media duke thënë se sot është ditë vendimtare.

Osmani ka ftuar qytetarët të votojnë, pasi sipas saj, nga ky process determinohet parlamenti i ardhshëm.

“Kosova është demokracia më e zhvilluar në rajonin tonë. Sot është ditë vendimtare që të gjithë qytetarët e Kosovës të japin kontributin në këtë drejtim duke marrë pjesë në procesin me të rëndësishëm nga i cili determinohet parlamenti i ardhshëm, pastaj edhe institucionet e tjera. Edhe merren vendime që kanë rëndësi për kualitetin e jetës së tyre dhe të gjithë vendit tonë”- ka thënë ajo.

Osmani u ka uruar suksese të gjithë atyre që kandiduan në këto zgjedhje.

“Është edhe moti i mirë sot- me diell dhe është pak më lehtë të votohet. Besoj i kanë informatat nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për qendrat e votimit”- tha ajo.

Qytetarët e Republikës së Kosovës sot më 09.02.2025 do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur ligjvënësit dhe Qeverinë e re.

Të dhënat nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tregojnë për 1 milion e 970 mijë e 944 votues me të drejtë vote.

Në të gjithë territorin e vendit do të hapen 903 Qendra të Votimit, me gjithsej 2 mijë e 533 vendvotime.

Në këto Zgjedhje të gjithë ata që do të votojnë me kusht kanë mundësi të votojnë vetëm në një Qendër Votimi, në një Komunë. Sipas KQZ-së do të jenë 38 Qendra Votimi me kusht, me gjithsej 58 vendvotime.

Ndërkaq numri i qytetarëve të cilët janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 104 mijë e 924 votues.

Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1280 kandidatë.

Procesi i votimit në Kosovë do të monitorohet nga një numër i konsiderueshëm i vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë, media vendore e ndërkombëtare dhe përfaqësues të trupave zgjedhore nga vendet e tjera.

Zgjedhjet e sivjetme parlamentare në Kosovë do të sjellin një risi sa i përket vëzhgimit të procesit të votimit, pasi që, për herë të parë, në qendra votimi do të ketë edhe kamera mbikëqyrëse.

KQZ -ja ka akredituar 1680 vëzhguesve për vëzhgimin e Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008.Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës, janë zgjedhjet e gjashta me radhë që do mbahen në Kosovë që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.