Foto: PDK

Voton kandidati i PDK-së për kryetar të Podujevës

Kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Podujevës, Naim Fetahu ka votuar në shkollën fillore “Esat Mekuli”, në fshatin Dobratin për zgjedhjet e kësaj komune që po mbahen sot.

Fetahu theksoi para gazetarëve se zgjedhjet lokale janë të një rëndësie të veçantë.

“Sot është një ditë e veçantë për qytetarët e komunës sonë, të cilët mund të shprehin mendimin e tyre. Ësjtë rast i vecantë me shpreh vullnetin e tyre qytetarët e komunës sonë. Zgjedhjet lokale janë të rëndësisë më të veçantë se sa ato nacionale, sepse këto prekin drejtpërsëdrejti interesin e qytetarëve të të gjitha kategorive, ndikojnë në punësimin mirëqenien shërbimet shëndetësore dhe është rast i mirë për qytetarët që me votën e tyre të përcaktojnë njeriun që dëshirojnë të drejtojë komunën tonë”, theksoi ai.

Fetahu ftoi të gjithë qytetarët që të dalin në zgjedhje.

“Të dëshmojnë një kulturë të jashtëzakonshme qysh dimë me bë ne komuna jonë, të tregojmë që jemi të civilizuar, të mos ketë asnjë ekces. Unë jam i sigurtë që llapjanët dijnë të votojnë, kemi dëshmuar edhe herave tjera që jemi vërtetë të civilizuar”, theksoi ai.

Fetahu shtoi se me sa e di ai, procesi është duke rrjedhur mirë.

Sot po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe të Podujevës.