Votohet draft-rezoluta për ‘unitetin politik e qytetar në mbrojtje të vlerave të popullit të Kosovës’

Me 61 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim është votuar draft-rezoluta për ‘unitetin politik e qytetar në mbrojtje të vlerave të popullit të Kosovës’, e propozuar nga deputetja e AKR-së, Mirlinda Sopi- Krasniqi.

Lëvizja Vetëvendosje e kërkoi që kjo draft-rezolutë të harmonizohet, ndërsa deputetët tjerë kërkuan që të votohet ashtu siç është.

“Të kërkohet një falje të gjithë deputetët që kanë votuar në vitin 2015 dhe të distancohen nga krimet ekonomike. Paraprakisht duhet të ketë një harmonizim”, tha nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci.

Ndërsa deputeti i Nismës, Endrit Shala pati replikë me të.

“Ke kujdes kur flisni. Unë e kam emrin Endrit Shala dhe jam pjesë e Nismës dhe e di që me vota të Serbisë ke tentu mos me e lon Nismën në Kuvend. Duhet të futet në votim kjo rezolutë, kush ka propozime mund t’i fusim në seanca tjera”, tha deputeti Shala.