
Votimi me postë: LVV do t'i drejtohet Gjykatës Supreme pas refuzimit të Ankesës nga PZAP
Anëtari i Vetëvendosjes në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi ka thënë se do të ankohen në lidhje me çështjen e votimit me postë, pasi që Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka refuzuar Ankesën e tyre për përsëritje të votimit me postë.
“Ne kemi me u anku në lidhje me çështjen e rivotimit me postë nga vota e jashtme, nga mërgimtarët tanë. Kemi shumë dëshmi, fakte, prova se ai proces është tërësisht i kontaminuar.” – tha Kurteshi për media pas mbledhjes të KQZ-së, më 10.03.2025.
“Ne do të ankohemi në lidhje me çështjen e votimit me postë në Supreme. Ne e dërgojmë Ankesën në Gjykatën Supreme më bindjen se na jep të drejtë, por nuk vendosim për të.” – tha Kurteshi.
Drejtori i Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala ka thënë se lidhur me Vendimin e PZAP-së për refuzimin e Ankesës së VV-së për anulimin e fletëvotimeve me postë dhe rivotimin përmes postës, afati ka nisur më 04.03.2025, në ora 16:00, që i bie se ka përfunduar në orën e njëjtë të 6 marsit.
“Është e vërtetë që unë më 5 mars, në ora 21:03, e kam dërgu një e-mail ku e kam njoftu gjithë KQZ-në që ka përfunduar i gjithë procesi i numërimit në QKN. Po ashtu ka një njoftim në uebfaqen e KQZ-së ku thuhet se procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi me postë ka përfunduar më 04.03.2025, në ora 16:00. Dhe, me rastin e marrjes së Vendimit nga PZAP i është referuar këtij njoftimi që është në uebfaqe.” – tha ai.
PZAP e kishte shpallur si të pasafatshme Ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila kishte kërkuar anulimin e tërësishëm të votimit jashtë vendit dhe përsëritjen e këtij procesi.
Në Arsyetimin e Vendimit të PZAP-së thuhet se LVV kishte pretenduar se më 05.03.2025, ditën e përmbylljes së procesit të numërimit dhe rinumërimit të fletëvotimeve, komisionerë dhe vëzhgues të kësaj partie “kishin identifikuar gjatë këtij procesi në vazhdimësi parregullsi të shumta”.
“Nga informatat tona të mbledhura dyshojmë që në listën e votuesve jashtë vendit janë rreth 1,700 persona të regjistruar me e-mail adresa që janë përdorur më shumë se katër herë, kurse në dhjetëra raste deri në 22 herë.” – thuhet ndër të tjera në Ankesën e LVV-së, bërë në PZAP.
Në lidhje me këtë pretendim të LVV-së, PZAP thotë se Ankesa “është shpallur e pasafatshme, sepse pala ankuese (LVV) këtë parregullsi ka mundur ta paraqesë në momentin që e ka kuptuar shkeljen”.
Edhe për listën votuese për të cilën Vetëvendosje ka pretenduar parregullsi, PZAP thotë se LVV nuk ka paraqitur Ankesë për të, që nga koha kur është certifikuar lista përfundimtare e votuesve në muajin janar – duke humbur kështu afatet ligjore.
Ndaj këtij Vendimi ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje, e cila e ka quajtur pozicion arbitrar dhe të pashpjegueshem këtë Vendim të PZAP-it.
Arsyetimin e PZAP se Ankesa e LVV është e pasafatshme, kjo parti politike e ka quajtur tendencë për t’i ikur përgjegjësisë institucionale.
“Justifikimi i PZAP-së se kinse Ankesa është e pasafatshme është qartazi tendencë për t’i ikur përgjegjësisë institucionale e ligjore, për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor. Shkeljet e shumta e manipulimi flagrant i procesit të votimit përmes postës nga ana e LDK-së nuk mund të anashkalohet.” – thuhet në reagimin e LVV-së.
Kjo parti ka njoftuar se do të ushtrojë Ankesë në afatin e paracaktuar pas shpalljes së rezultateve.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) kishte njoftuar se është përmbyllur numërimi i fletëvotimeve nga votimi me postë jashtë Kosovës, më 04.03.2025.
Sipas rezultateve të publikuara në platformën https://rezultatet2025.net/ nga votat e dërguara me postë nga jashtë Kosovës më së shumti vota ka fituar Lëvizja Vetëvendosje – 51.57%, ose 31,963 vota, e ndjekur nga LDK – 30.55%, ose 18,933 vota, PDK – 9.48%, ose 5,878 vota, koalicioni AAK-NISMA – 3.23%, ose 2,000 vota.
Votimi nga mërgimtarët u realizua në dy forma: përmes postës dhe votimit fizik nëpër Ambasada dhe Konsullata. Gjatë periudhës së regjistrimit, nga 104,924 shtetas të regjistruar për votim jashtë Kosovës 84,600 ishin regjistruar për të votuar përmes postës dhe 20,324 të tjerë ishin regjistruar për votimin fizik në përfaqësitë diplomatike.
Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 për Kuvend të Kosovës janë të gjashtat me radhë që janë mbajtur që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17.02.2008.