Votimi i qeverisë Hoti i lë jashtë Kuvendit 5 njerëzit më të votuar në LVV si dhe Lumir Abdixhikun nga LDK

Votimi i qeverisë së re, i ka lënë jashtë  Kuvendit disa nga njerëzit më të votuar në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit në Kosovë.

Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje në legjislaturën e 7-ta nuk do t’i ketë 5 nga njerëzit më të votuar të partisë.

Ndërsa pjesë e grupit parlamentar të LDK- së nuk do të jetë kandidati i  katërti më i votuar i LDK-së Lumir Abdixhiku i cili në zgjedhjet e 6 tetorit ka marrë 29,531 vota.

Ish-kryeministri, Albin Kurti, ish-zëvendëskryeministri Haki Abazi, ish-ministrat Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu e Arben Vitia nga Lëvizja Vetëvendosje si dhe ish-ministri Lumir Abdixhiku nuk do të kenë mundësi të jenë pjesë e legjislativit pas votimit të qeverisë Hoti.

Kjo për shkak se nuk kanë mundësi të rikthimit në pozitën e deputetit, pasi që në momentin e votimit si ministra më 3 shkurt kanë humbur mandatin si deputet.

Ndonëse ishte njeriu më i votuar në Kosovë me 183,952  në zgjedhjet e fundit, kryetari i LVV-së Albin Kurti do të mbetet jashtë dyerve të Kuvendit të Kosovës.

Në grupin parlamentar të LVV-së nuk do jetë as njeriu u dytë më i votuar në këtë parti, Glauk Konjufca i cili kishte grumbulluar 72,775 vota në zgjedhjet e 6 tetorit, për tu zgjedhur kryetar Kuvendi për një periudhë të shkurtër pastaj ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës në qeverinë Kurti.

Pjesë e legjislaturës së 7-të të Kuvendit nuk do të jetë as gruaja më e votuar në Lëvizjen Vetëvendosje, Albulena Haxhiu e cila në qeverinë Kurti kishte drejtuar ministrinë e Drejtësisë në zgjedhjet e 6 tetorit kishte marrë 46,861 vota.

Ish-ministri i Shëndetësisë Arben Vitia një zgjedhjet e fundit kishte qenë njeriu i 4-të në partinë e Albin Kurtit me 26,074 vota, mirëpo për shkak të postit ministror ai nuk do të jetë pjesë e grupit parlamentar të LVV-së.

Ndërsa ish-zëvendëskryeministri Haki Abazi 15,922 vota duke u radhitur i 8-ti në partinë e Albin Kurtit, mirëpo për shkak të postit në qeveri ai do të mbetet jashtë kuvendit.

Përderisa ish-ministrat e Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë pasur mundësi të jenë në ekzekutiv pas votimit të qeverisë Hoti, Lumir Abixhiku nga LDK ka pasur mundësi të zgjedh nëse do të vazhdoj ta mbaj këtë post në qeverinë Hoti, por një gjë të tillë ai nuk e ka pranuar.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, dje pas mbledhjes së kryesisë  ka deklaruar se Lumir Abdixhiku, nuk ka pranuar të jetë i propozuar për ministër në Qeverinë  Hoti

“Zotëri Abdixhiku ka deklaruar se nuk dëshiron që të jetë ministër. Ne ia kemi kërkuar edhe sot por ai nuk ka pranuar”, ka thënë  Mustafa.

Sot deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar sot qeverinë e re të vendit të koalicionit LDK-AAK-NISMA-Lista Serbe, të drejtuar nga Avdullah Hoti.

Për qeverinë e re kanë votuar 61 deputetë, 24 ishin kundër dhe 1 abstenoi. Në votim morën pjesë 86 deputetë.

Kryeministri i ri i Kosovës Avdullah Hoti është njeriu i 12-të më i votuar në vend në zgjedhjet e 6 tetorit.

Kandidati i LDK-së për Kryeministër, njeriu i 12-të më i votuar në vend