Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Votimi i mocionit për shqyrtim të përshpejtuar të Buxhetit 2025, Gashi: Shkelje e rëndë kushtetuese

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, pretendon se në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, të mbajtur më 11.11.2024, është bërë “një shkelje e rëndë kushtetuese dhe procedurale”, pasi mazhoranca e ka votuar një çështje që nuk ishte e përfshirë në rendin e ditës.

Ai ka përkujtuar se Kuvendi ishte thirrur për të diskutuar vetëm një çështje të rendit të ditës: shqyrtimin e projektligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2025.

“Ndryshimi i rendit të ditës nuk është realizuar sipas rregullores dhe nuk ka pasur votimin e kërkuar nga deputetët për të miratuar këtë ndryshim”- ka thënë Gashi, më 12.11.2024.

Ai ka deklaruar se ky veprim është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimin e shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit, të garantuar nga Kushtetuta e Kosovës.

“Rregullorja e Kuvendit të Kosovës e bën të qartë se çdo ndryshim në rendin e ditës duhet të ndjekë një procedurë të përcaktuar qartë në nenin 53 të rregullores, e cila përfshin: Propozimin dhe votimin për heqjen ose plotësimin e çështjeve në rendin e ditës nga kryetarët e grupeve parlamentare ose të paktën gjashtë deputetë; dhe mbështetjen nga 2/3 e deputetëve të pranishëm për shtimin e një çështjeje të re, apo procedura të tjera të veçanta për çështje urgjente”, ka shpjeguar Gashi.

Reagimi i tij vjen pasi në seancën e mbajtur më 11.11.2024, pasi është votuar Projektligji për ndarjet buxhetore për vitin 2025, me kërkesë të Lëvizjes Vetëvendosje është votuar për shmangie të afateve për shqyrtim të projektligjit për ndarjet buxhetore në lexim të dytë.

Deputeti i LVV-së, Armend Muja ka propozuar që të shmangen afatet duke propozuar që shqyrtimi i dytë të bëhet në seancën e Kuvendit më 21 nëntor.

Deputetët: Arben Gashi, Besnik Tahiri e Mërgim Lushtaku kundërshtuan këtë propozim, duke kërkuar që deputetët të mos nguten me shqyrtimin e këtij projektligji.

Megjithatë, propozimi i deputetit Muja u miratua me 60 vota për dhe një abstenim nga deputetët e partisë në pushtet.

Projektligji mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2025, u miratua nga deputetët me 59 vota pro dhe dy abstenime.