Agim Bahtiri. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Votimi i buxhetit të Mitrovicës, përplasje mes asamblistëve të PDK-së dhe Bahtirit në debat

Mosmiratimi i buxhetit për Komunën e Mitrovicës ka qenë temë e nxehtë e debatit në emisionin “Jeta në Komunë“.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës ka thënë se pas kalimit te tij në Lëvizjen Vetëvendosje, dy partitë politike, LDK dhe PDK, po ia bllokojnë projektet duke mos i votuar në kuvendin komunal.

Madje Bahtiri ka thënë se për këtë arsye nuk është votuar as buxheti për vitin 2021.

“Prej që kam kaluar në LVV këta kanë lidhur koalicion me LDK-në dhe secilin projekt timin e bojkotojnë, kuptohet që tani edhe buxhetin e kanë bllokuar. Në mbledhje isha për buxhet dhe e kam tërhjek dhe ju kam thëne bëjeni vetë ose e bëjmë së bashku por nuk ka qenë që buxheti nuk ka qenë i punuar mirë po janë inatet e tyre dhe bllokimi total i kryetarit dhe kjo është e vërteta“, tha Bahtiri

Pas kësaj kanë reaguar asamblistët e PDK-së duke thënë se buxheti nuk është votuar pasi sipas tyre në buxhet janë përfshirë projekte të cilat asnjëherë nuk janë realizuar.

Asamblisti i PDK-së Donjet Bislimi në debat e sipër ka thënë se Bahtiri është pjesë e seancave komunale vetëm kur dëshiron që ta shtyjë ndonjë pikë të veten përpara.

Reagim ka pasur edhe nga asamblistja Vesa Broja duke thënë se asnjëherë nuk votojnë siç tha ajo në bazë të inatit, por në të mirë të qytetarëve.

“Qysh me votu një buxhet që ka me përfundu në Raport të Auditimit, është turp, vitin e kaluar e kena përkrah për të mirën e qytetarëve”, tha Bislimi.