Arkiv - Ish-Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti

Votat që i mori Albin Kurti në fshatin Burojë të Hashim Thaçit

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) u radhit e dyta në qendrën e votimit në fshatin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Në Burojë të Skenderajt, kundërshtari politik i Thaçit në vendvotimin 2125b/01r mori 34 vota, pas Partisë Demokratike të Kosovës që prin bindshëm e para në këtë qendër më 272 vota, ose tetëfishtë më shumë ka marrë vota se sa partia e Albin Kurtit.

Pastaj radhitet Lidhja Demokratike e Kosovës më 29 vota, Fjala me 10 vota, dhe në fund Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) mori vetëm 5 vota.

Kurse edhe në vendvotimin e 2125b/02d Vetëvendosje renditet e dyta pas PDK-së me 43 vota, përderisa kjo e fundit ka 284 vota.

Të dielën, 14 shkurt, janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Deri në orën 15:00 në Skenderaj kanë dalë për të votuar 28,8% ose 14,822. Gjithsej në Skenderaj janë të regjistruar 51,341 votues.

Ekipi i KALLXO.com ka raportuar për dy incidente në Skenderaj. Incidetet, në të dyja rastet, kishin të bënin në mes komisionarëve të PDK-së dhe vëzhgueseve të LVV-së. Gjithashtu nga fshati Burojë, KALLXO.com raportoi se rrugët nuk janë pastruar nga bora që ka rënë ditët e fundit.

Ndërkohë, në po të njëjtin fshat, një 17 vjeçar ka tentuar të votojë në qendrën e votimit “Abedin Rexha – Sandokani”.  E disa metra larg kësaj shkolle janë të vendosura disa posterë të kandidatëve për deputetë të PDK-së.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare vijnë si rezultat i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka urdhëruar mbajtjen e zgjedhjeve të reja pasi ka konsideruar se zgjedhja e Qeverisë së Avdullah Hotit ishte bërë me shkelje ligjore.