Nenad Rashiq

Votat nga Serbia, Supremja vendosi kundër edhe ndaj ankesës së Nenad Rashiq

Dje, Gjykata Supreme e Kosovës vendosi që votave e ardhura nga Serbia të mos jenë pjesë e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 6 tetorit.

Sipas aktgjykimit të Supremes, afër 4 mijë zarfe me vota të ardhura nga shteti serb nuk do të pranohen në rezultatet përfundimtare të KQZ-së që i publikoi më 7 nëntor.

Kështu kishte vendosur edhe Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, megjithatë ndaj vendimit të tyre ishin ankuar tre kandidatë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ankesë ndaj vendimit të PZAP-së që urdhëronte KQZ-në largimin nga rezultati final të fletëvotimeve të ardhura nga Serbia paraqiti edhe Nenad Rashiq, përfaqësues i Partisë Progresive Demokratike në Graçanicë.

Por, Gjykata Supreme e Kosovës e vendosi që ta hedhë si të palejuar.

“Ankesa e Partisë Progresive Demokratike në Graçanicë e përfaqësuar nga Nenad Rashiq është e palejuar për shkak të mungesës së interesit juridik për paraqitjen e saj”, thuhet në aktvendimin e Supremes të cilin e ka siguruar KALLXO.com.

Sipas Supremes, me vendimin e PZAP nuk i janë shkelur të drejtat themelore sipas Ligjit për Zgjedhje.

Një historik të votave të ardhura nga Serbia mund ta lexoni KËTU.