Votat në Bradash, bashkëfshatarët e Agim Veliut mbështetën Nexhmi Rudarin

Komisioni Qendror i Zgjedhje ka publikuar listën me statistika të vendvotimeve nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura të dielën për kryetar të Podujevës.

Këto zgjedhje e nxorrën fitues Shpejtim Bulliqin nga Lëvizja Vetëvendosje, për herë të parë pas 20 viteve që LDK po mbante pushtet në këtë komunë.

Në fshatin Bradash, vend prej të cilit vjen ish-kryetari i Podujevës, nënkryetari i LDK-së dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu kanë qenë të hapura tre vendvotime.

Nexhmi Rudari, kandidati i LDK-së, mori 522 vota, kurse Shpejtim Bulliqi nga LVV mori 432 vota, kurse Naim Fetahu nga PDK mori 103 vota.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur të enjten rezultatet përfundimtare për kryetar të Komunës së Podujevës.

Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje doli i pari në zgjedhjet e 29 nëntorit. Ai madje fitoi pa balotazh përballë dy kandidatëve të tjerë nga LDK e PDK.

Bulliqi mori  18 mijë e 286 vota, apo 51.9 për qind.

Në anën tjetër, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Nexhmi Rudari mori 12 mijë e 627 vota, apo 35.8 për qind.

Ndërsa, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Naim Fetahu mori vetëm 4 mijë e 341 apo 12.3 për qind të gjitha votave.

Në zgjedhjet e së dielës votuan 34 mijë e 873 persona me të drejtë vote. Kështu, dalja në këto zgjedhje për kryetar komune ishte 40.76 për qind.