Votat e diasporës, shkak për risistemime të stafit brenda Postës së Kosovës

Posta e Kosovës në muajin shkurt të këtij viti ka filluar risistemimin e personave nga një departament në tjetrin.

Kjo lëvizje e stafit të Postës së Kosovës është bërë për arsye të shumta, por njëra ndër to është edhe për shkak të votave të diasporës për zgjedhjet e 14 shkurtit, që do të mbahen këtë të diel.

Kërkesën për angazhimin e stafit shtesë në këtë drejtori e ka bërë drejtori i Departamentit të Kontrollit të Brendshëm, Gazmend Isufi në drejtim të u.d kryeshefit ekzekutiv, Xhevdet Smakiqi me 3 shkurt 2021.

E një ditë më pas, Smakiqi ia aprovoi atij kërkesën, duke marrë vendim që tre persona të lëvizin nga departamentet e tjera në këtë departament më 4 shkurt.

Sipas vendimeve të siguruara nga KALLXO.com, në këto pozita janë emëruar, Veton Morina, Samir Kelani dhe Liridon Mirena që të tre të propozuar nga Isufi.

Që të tre këta janë risistemuar si U.D Kontrollor të Brendshëm duke mos iu ndryshuar grada që ata e mbajnë. Me gradën 6 janë Samir Kelani dhe Veton Morina, kurse Liridon Mirena me gradën 5.

Në vendimet e marra nga ana e Ushtruesit të Detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv, Xhevdet Smakiqi është thënë se këto vendime nuk do t’i shkaktojnë shpenzime shtesë kompanisë.

Se këta tre persona janë risistemuar e ka pranuar edhe zyra për media e Postës së Kosovës.

Sipas Postës, zyrtarët e lartë përmendur janë lëvizur sipas rregulloreve të brendshme dhe me arsyetime nga drejtoritë përkatëse.

“Këto pozita nuk janë të lidhura me votat e diasporës direkt, por ka ndikim në monitorim të mbarëvajtjes. Kurse, nevoja kryesore është monitorimi më i madh në 135 zyra postare, rreth mbarëvajtjes së punës, prezencës në punë, disiplinës profesionale dhe ngritjes së kualitetit, saktësisë dhe shpejtësisë së shpërndarjes së tatimit në pronë, për të eliminuar dobësitë dhe dështimet e mëhershme që ka pasur Posta e Kosovës”, është thënë më tej.

“Nëpërmes këtyre lëvizjeve të stafit pa rritje shpenzimesh dhe pa ngritje pagash, synojmë të ngritëm nivelin e përgjegjësisë dhe disiplinës profesionale në nivelet më të larta”, është thënë në një përgjigje me shkrim të Postës së Kosovës për KALLXO.com.

KALLXO.com ka tentuar të bisedojë edhe me Drejtorin e Departamentit të Kontrollit të Brendshëm brenda Postës së Kosovës, Gazmend Isufi, por se ai nuk ka pranuar që të flasë.

Kurse, U.D Kryeshefi Ekzekutiv, Xhevdet Smakiqi tha se risistemimet janë bërë që të rritet performanca e kësaj ndërmarrje.

“Këto janë lëvizje që ndodhin gjatë gjithë kohës në departamente në bazë të kërkesave që i bëjnë. Këto janë lëvizje të përkohshme që ne i jemi në monitorim më të madh, në mënyrë që me rritë shpejtësinë dhe sigurinë për klientët tanë që kemi me bë për tatimin në pronë dhe këta janë risistemuar që me rrit punën e postës dhe s’ka lidhje as me emra as me mbiemra”, tha ai.

KALLXO.com u ka dërguar pyetje edhe personave të risistemuar në këto pozita përmes zyrës për media të Postës së Kosovës dhe deri në publikimin e artikullit, nuk ka pranuar përgjigje.

Posta e Kosovës në këto zgjedhje e ka për detyrë grumbullimin e votave që vijnë nga diaspora dhe dorëzimin e tyre.