Vota e Bullgarisë nxit perspektivën e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor

Parlamenti i Bullgarisë ka votuar në favor të heqjes së vetos për fillimin e bisedimeve të pranimit në BE me Maqedoninë e Veriut, në një përparim të mundshëm për përpjekjet e bllokut të BE-së për ta nisur procesin e ngecur të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri reformator i Bullgarisë Kiril Petkov e përshkroi votimin në Twitter si një “vendim historik”, duke thënë se “integrimi i Ballkanit Perëndimor është në interesin strategjik të BE-së”.

Deputetët bullgarë votuan për heqjen e vetos me katër kushte që Maqedonia e Veriut ende mund t’i refuzojë. Kushtet ishin pjesë e një kompromisi të ndërmjetësuar nga Franca, mbajtësja e presidencës së rradhës të BE-së. Dimitar Kovaçevski, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, të enjten i përshkroi ato si “të papranueshme”.

Kushtet janë që minoriteti bullgar i Maqedonisë të njihet në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut; se nuk do të ketë njohje automatike bullgare të gjuhës maqedonase; që protokollet që i rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve të përfshihen në kuadrin e negociatave të BE-së; dhe se Komisioni Evropian ta monitorojë zbatimin e marrëveshjes.

“Topi është tani në fushën e tyre,” deklaroi një diplomat i BE-së të premten. Bullgaria kishte bllokuar fillimin e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut që nga viti 2019 për shkak të mosmarrëveshjeve mbi interpretimet e historisë dhe shprehjeve të tjera të identitetit kombëtar në ish-republikën jugosllave.

Vetoja nënkuptonte se negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë gjithashtu ishin ngrirë, pasi BE tha se do t’i trajtonte të dyja vendet së bashku. Pushtimi rus i Ukrainës e ka shtuar urgjencën në përpjekjet e BE-së për ta ringjallur procesin e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor, me diplomatët e BE-së që kanë frikë se paraliza e zgjatur do ta nxiste zhgënjimin me rreshtimin perëndimor dhe do t’i jipte mundësinë Moskës ta rrisë ndikimin e saj në rajon.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha në samitin e BE-së në Bruksel të enjten mbrëma se liderët “kanë bërë kolektivisht shumë presion mbi Bullgarinë muajt e fundit” për ta pranuar një marrëveshje.

Vendimi i Bullgarisë u bë e mundur pasi partia opozitare GERB, e cila vuri veton ndaj bisedimeve kur ishte në pushtet në vitin 2019, të mërkurën u kthye dhe ra dakord të hiqte veton.

Por disa orë më vonë, në një votë mosbesimi, ajo ndihmoi në rrëzimin e qeverisë reformiste të Sofjes të udhëhequr nga Petkov, e cila kishte propozuar kompromisin me Shkupin. Trazirat e brendshme politike në Bullgari i dhanë hije të errët samitit të liderëve nga BE dhe Ballkani Perëndimor të enjten.

Kryeministri shqiptar Edi Rama i krahasoi liderët e BE-së me një “kongregacion priftërinjsh që po diskutonin gjininë e engjëjve ndërkohë që  muret e Kostandinopojës po shpërbëheshin”. “Është një shenjë shumë pozitive pas gjithë bujës së djeshme,” tha diplomati i BE-së për votimin parlamentar të Sofjes.

Duke supozuar se bullgarët dhe maqedonasit e veriut bien dakord për një protokoll të përbashkët, ai do t’i hapte rrugën të 27 vendeve anëtare për ta miratuar hapjen e bisedimeve të anëtarësimit.

Nëse Shkupi e refuzon marrëveshjen, presioni mbi Brukselin do të rritet nga Shqipëria dhe anëtarët e BE-së në favor të zgjerimit për ta shkëputur ofertën e anëtarësimit nga Maqedonia e Veriut.

Bullgaria, ndërkohë, po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme pas votës së mosbesimit të kësaj jave. Megjithëse Petkov mund të përpiqet ta mbledhë një tjetër koalicion, ai pritet të japë dorëheqjen javën e ardhshme. Më pas do t’i binte opozitës GERB që të përpiqet të formojë një qeveri, por analistët thonë se një votim në vjeshtë – i katërti i Bullgarisë që nga prilli 2021 – është më i mundshëm. /Financial Times