Foto: KALLXO.com

Vonesat në tenderim, ndërtimi i QKMF-së në Drenas, Klinikës Emergjente në QKUK dhe Institutit Special të Shtimes s’filloi në vitin 2023

Ndërtimi i objekteve të institucioneve shëndetësore që ishte planifikuar të nisej gjatë vitit 2023 ka dështuar për shkak të planifikimit jo të duhur të Ministrisë së Shëndetësisë.

Kështu thotë raporti i auditimit të pajtueshmërisë i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për prokurimin dhe menaxhimin e kontratave në Ministrinë e Shëndetësisë për vitin 2023.

Kontratat për objektet e Klinikës Emergjente në QKUK, Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Drenas dhe Institutit Special të Shtimes nuk u lidhën gjatë vitit 2023 për shkak të vonesave në proceset e tenderimit, theksohet në raport.

Raporti thotë se prokurimi për QKMF-në në Drenas që ka buxhet prej 2 milionë e 110 mijë eurove ishte nisur me vonesë fillimisht për shkak të mangësive në projekt e më pas për shkak të ankesave në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Ndërsa, hartimi i projektit për Klinikën Emergjente me mbi 15.8 milionë euro buxhet u përfundua me rreth 5 muaj vonesë, sipas ZKA-së. Kjo bëri që të mos iniciohet fare procedura e prokurimit gjatë vitit 2023.

E për Institutin Special në Shtime nuk pati fare projekt.

“Prokurimi për ndërtimin e objektit të Instituti Special të Shtimes me buxhet prej 8,000,000 euro nuk kishte filluar për shkak që nuk kishte projekt dhe fillimisht Ministria kishte shpallur Konkurs për projektim por që as projekti nuk ishte hartuar gjatë vitit 2023” – thuhet në raportin e auditimit.

Dështimi i këtyre projekteve ka ndikuar edhe në shpenzimin e buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë. Vetëm 44 për qind e buxhetit të ndarë për mallra e shërbime dhe investime kapitale u arritën të shpenzohen nga Ministria e Shëndetësisë nga thuajse 70 milionë euro sa kishte të ndara për mallra e shërbime dhe investime kapitale.

“Buxheti i vitit 2023 për MSH-në për këto dy kategori ishte 60,965,938 euro përderisa ishin shpenzuar 27,262,221 euro apo 44%. Nga aspekti i fondeve një pjesë e mjeteve (rreth 9 mil euro) kanë qenë nga klauzola e investimeve për projektet për Covid 19 të cilat nuk kanë mundur të shpenzohen” – thuhet më tej.

ZKA konkuldon se mungesa e analizave me kohë, para procesit të tenderimit dhe kontrollet e dobëta gjatë procesit duke mosvepruar në fazat e hershme të tenderimit, ka rezultuar në mosnënshkrim të kontratave nga menaxhmenti.

Pasojat e mosrealizimit të këtyre aktiviteteve, sipas raportit kanë pasur efekt në funksionimin e shërbimeve shëndetësore.

ZKA i ka dhënë pesë rekomandimet MSH-së në lidhje me gjetjet gjatë realizimit të auditimit të pajtueshmërisë.

“Para inicimit të aktiviteteve të prokurimit menaxheri i prokurimit në bashkëpunim të ngushtë me njësinë kërkuese duhet të sigurojnë hulumtimin e çmimeve të tregut dhe që vlera e parashikuar të jetë sa më e përafërt me çmimet e tregut për të shmangur dështimin e procesit të prokurimit si rezultat i mungesës së mjeteve apo mungesës së interesimit të operatorëve për të ofertuar” – thuhet në rekomandimin e parë të ZKA-së.

Në rekomandimin e dytë thuhet që menaxheri i prokurimit në koordinim me njësinë kërkuese duhet t’i përgatisin specifikat teknike jo favorizuese dhe të shmangin kriteret e larta dhe kufizuese.

“Aktivitetet e prokurimit për projektet kapitale duhet të jenë të përcjella me projekte ekzekutive-studime të fizibilitetit që janë me cilësi dhe në kohën e duhur. Po ashtu, në të gjitha rastet të përgatiten dhe publikohen njoftimet indikative, si parakusht për transparencë ndaj OE dhe përmirësimin e konkurencës së tregut” – përfundon rekomandimi i dytë.

Në rekomandimin e tretë është kërkuar një vlerësim i detajuar i shkaqeve dhe rrethanave që kanë sjellë deri te mosnënshkrimi i kontratave në fund të procesit nga menaxhmenti.

“Kontollet e proceseve të prokurimit duhet të vendosen në faza të hershme në mënyrë që të parandalohet dështimi për nënshkrimin e kontratave” – theksohet në rekomandim.

Ministrit i është rekomanduhet që të sigurohet nga menaxheri i prokurimit se kriteret në dosje janë plotësisht në harmoni me rregullat e prokurimit dhe se kontratat po përmbushen
sipas afateve të parapara duke aplikuar edhe penalet kur ato nuk realizohen sipas afateve.

Menaxhmenti i MSH-së është pajtuar me gjetjet dhe rekomandimet e këtij raporti të ZKA-së.

Raportin e plotë me të gjitha gjetjet dhe rekomandimet mund ta lexoni KËTU.