Peter Stano

Vonesat me Udhërrëfyesin për energjinë, deklarohen nga Bashkimi Evropian

Ndonëse kanë kaluar 107 me vetëm një pikë të zbatuar, Bashkimi Evropian edhe një herë ka thënë se vonesat për zbatimin e Udhërrëfyesit për energjinë mes Kosovës dhe Serbisë kanë ndodhur për shkak të aspekteve teknike, por pa dhënë detaje se cilat janë ato.

“Vonesat në zbatimin e Udhërrëfyesit janë për shkak të aspekteve teknike, të cilat BE-ja u ka kërkuar palëve t’i adresojnë pa vonesë. BE-ja po ofron udhëzime se si të adresohen pyetjet e hapura” – ka thënë për KALLXO.com, Peter Stano, Zëdhënësi kryesor për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë.

Stano po ashtu ka theksuar se BE-ja po ndjek nga afër aktivitetet e të dyja palëve në Udhërrëfyesin e energjisë në kapacitetin e saj si lehtësues dhe garantues i marrëveshjeve të dialogut.

“KOSTT, KEDS dhe Elektrosever janë në komunikim të rregullt. Ata gjithashtu raportojnë rregullisht në BE dhe SHBA. BE-ja po lehtëson dialogun ndërmjet palëve; nuk është arbitër. Përgjegjësia përfundimtare për zbatimin e suksesshëm të marrëveshjeve të energjisë dhe Udhërrëfyesit i takon palëve” – ka thënë ai.

Zëdhënësi i BE-së po ashtu ka thënë se janë duke punuar për t’i kapërcyer vonesat që kanë ndodhur me Udhërrëfyesin.

“Ne po punojmë me të gjitha palët e përfshira për të gjetur një mënyrë përpara për të kapërcyer vonesën aktuale në zbatim” – ka thënë tutje ai.

Kalendari për udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë është 100-ditor. Por edhe pse kanë kaluar 107 ditë që nga nënshkrimi i saj më 21 qershor në Bruksel, ende vetëm një pikë e këtij kalendari është zbatuar nga palët.

Pika e vetme e zbatuar deri më tani, edhe pse tashmë kanë kaluar 100 ditë, është ajo për dhënien e licencës së operimit nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për kompaninë ‘Elektrosever’.

Mirëpo kjo licencë pritet të shqyrtohet nga ZRRE në 10 ditët në vijim, pasi që pikën 8-të të udhërrëfyesit parashihet që “ZRRE mund të vendosë të pezullojë dhe/ose të tërheqë licencën për furnizim dhënë Elektroseverit, subjekt i konsultimeve paraprake ndërmjet palëve, të lehtësuar nga BE, gjatë një periudhe maksimale prej 15 ditësh. BE-ja do të japë një opinion, nëse kërkohet nga të paktën njëra nga palët”.

Nga ZRRE-ja kanë konfirmuar për KALLXO.com se janë duke shqyrtuar mundësitë për revokim të licencës për kompaninë ‘Elektrosever’.

Udhërrëfyesi për energjinë, 106 ditë pa zbatim të tij