Vonesat me afatin ‘shtatori 2’ krijojnë paqartësi për fillimin e vitit të ri akademik

Në mbledhjen e sotme të Senatit të Universitetit të Prishtinës pati mospërputhje lidhur me fillimin e vitit të ri akademik, ku qëllimi ishte që të gjitha vitet të fillojnë në datë të njëjtë, në këtë rast 1 tetor.

Por disa dekanë, si ai i Fakultetit Ekonomik dhe apo edhe i Fakultetit Juridik, thanë se ‘shtatori 2’ ende nuk ka përfunduar, gjë që e bën të pamundur të fillojë në kohë ky vit akademik.

“Fakulteti Ekonomik dhe Juridik deri në javën e parë të tetorit nuk i përfundojnë provimet e afatit ‘shtatori dy’, kjo edhe për shkak të numrit të madh të studentëve”, ka thënë Avni Puka, dekan i Fakultetit Juridik.

Rektori i Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, Marjan Dema, tha se nuk do ndërhyjë në vendime që do merren nga menaxhmenti i ri duke shtuar se ka qenë vendimi për afatin e kryerjes së provimeve.

“E keni pasur vendimin që afati ‘shtatori 2’ të përfundojë deri më 30 shtator, ka qenë kompetencë e njësive akademike që kjo të përfundojë me kohë. Nuk kemi arsye që vetëm pse dy ose tre profesorë nuk kanë përfunduar provimet të ndërhyjmë në vendimet që do t’i marrë menaxhmenti i ri”, ka thënë Dema.

Viti akademik do të fillojë me vonesë për studentët e vitit të parë, për shkak të vonesës se realizimit të maturës shtetërore. Kurse për studentët e vitit të dytë dhe tretë planifikohet të fillojë më 1 tetor.

Afati i parë i Testit Shtetëror të Maturës është mbajtur më 29 gusht 2020. Këtë test e kanë kaluar 17.105 maturantë nga 25.362 sa kanë marrë pjesë në të, ndërsa për 8.257 maturantë që nuk kanë arritur të kalojnë, testit në afatin e dytë do t’i nënshtrohen më 10 tetor, kurse rezultatet do të bëhen publike më 16 tetor 2020.

Në një komunikatë të mëhershme të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, thuhet se nga data 19-21 tetor do të jetë afati i ankesave, rezultatet e të cilave do të publikohen më 23 tetor, për të shënuar kështu përfundimin e gjithë procesit të Maturës Shtetërore për këtë vit.

Studentët e rinj, nuk nisin vitin akademik më 1 tetor