FOTO: Atdhe Mulla

Vonesa me tender, nuk ka qumësht për nxënësit e Prishtinës

Nxënësit e shkollave në Prishtinë nuk po e marrin shujtën e plotë ditore.

Ata po ushqehen me kifle por jo edhe me qumësht ashtu siç bëhet zakonisht.

Për mungesën e qumështit në shkollë ka folur edhe drejtoresha e shkollës “Faik Konica”, Gjylie Bala.

“Nga java e kaluar ka filluar furnizimi më kifle, por jo edhe më qumësht për nxënësit e shkollës tonë”, tha drejtoresha Bala për KALLXO.com.

Komuna e Prishtinës momentalisht ka të nënshkruar kontratë për furnizim me kifle.

Zyra për Marrëdhënie me Media e Prishtinës e kontaktuar ka treguar për KALLXO.com se organi kompetent me furnizim me qumësht është Autoriteti Qendror i Prokurimit.

“Autoriteti Qendror i Prokurimit i ka marrë në kompetencë procedurat e prokurimit për furnizim më artikuj ushqimorë,  ku bën pjesë edhe  qumështi për shkolla.Rrjedhimisht, Komuna e Prishtinës nuk është lejuar që të realizojë procedura të prokurimit për këtë qëllim”, thuhet në përgjigje.

Ata kanë shtuar se kanë kërkuar që të hapin tender për afat të shkurtër në mënyrë që të bëhet furnizimi me qumësht.

“Pas vonesave të fillimit të procedurave nga AQP, komuna ka parashtruar kërkesë për të marrë leje të veçantë per shpalljen  e tenderit për një periudhë katër mujore, derisa AQP të finalizojë procedurat për këtë aktivitet.Tenderi për furnizim më qumësht është në procedurë, dhe pas përfundimit të gjitha afateve të parapara më ligj, pritet që kontratat të nënshkruhen “  thënë për KALLXO.com

KALLXO.com ka kontaktuar më telefon  Agjencinë  Qendrore të  Prokurimit.

Zyrtari Ardian Mehmeti ka treguar shkurtimisht se Komuna ka bërë kërkesë për hapje të tenderit ndërsa nuk ka dhënë detaje lidhur me vonesat në prokurim në AQP.