Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Von der Leyen përshëndet futjen e Kroacisë në zonën Shengen

Në momentin e ndërrimit të viteve, kroatët iu bashkuan zonës së lëvizjes së lirë Shengen dhe monedhës evropiane Euro.

Për të shënuar këtë moment të rëndësishëm, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen vizitoi Kroacinë, vendin më të ri anëtar të Bashkimit Evropian, që përmbushi kështu aspiratat më të mëdha kombëtare që nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë 31 vjet më parë.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen vizitoi të dielën Kroacinë, që sapo iu bashkua Euros dhe hoqi dhjetëra pika kufitare duke iu bashkuar kështu hapësirës më të madhe në botë të udhëtimit pa pasaporta.

Ky moment shënon një fillim të ri për vendin e vogël ballkanik prej 4 milionë banorësh që u vendos në epiqendër të vëmendjes ndërkombëtare tre dekada më parë për shkak të luftës brutale që shkatërroi gati një të katërtën e ekonomisë së vendit.

Von der Leyen e përshëndeti zhvillimin si një “ditë për t’u festuar”.

“Kjo është mbi të gjitha një ditë gëzimi dhe krenarie për popullin kroat. Është dëshmi e rrugëtimit tuaj të jashtëzakonshëm, punës suaj të madhe dhe vendosmërisë tuaj. Është një ditë feste jo vetëm për kroatët, por për të gjithë shtetasit evropianë. Nga ky moment, kufijtë ndërkombëtarë mund të kalohen lirisht pa kontroll”, tha Von der Leyen nga pika kufitare në Bregana.

Bërja pjesë e zonës Shengen do të thotë se kroatët do të jenë tashmë ndër 420 milionë njerëzit që mund të lëvizin lirisht pa pasaporta në të 27 vendet anëtare.

Gjithashtu, bërja pjesë e Eurozonës do t’i ofrojë Kroacisë avantazhet e marrëdhënieve më të forta financiare me monedhën e 19-të vendeve të tjera që kanë monedhën Euro, si dhe me Bankën Qendrore Evropiane.

“Sot bëheni pjesë e një komuniteti prej 347 milionë evropianësh që përdorin Euron në jetën e tyre të përditshme. Euro na bën më të fortë brenda vendit. Lehtëson investimet dhe tregtinë ndërkufitare, duke e bërë ekonominë më të gjallëruar. Ndihmon në krijimin e vendeve të punës. Sjell stabilitet makroekonomik dhe besueshmëri. Si monedha e dytë më e rëndësishme në botë, Euro na bën më të fortë në skenën botërore”, tha Von der Leyen.

Kjo do të lehtësojë edhe udhëtimin dhe sipërmarrjen, duke hequr pengesën e këmbimit të monedhës për kroatët dhe për dhjetëra mijëra turistët që vizitojnë këtë vend çdo vit për të shijuar bregdetin e mahnitshëm të Adriatikut./VOA