Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen gjatë vizitës së saj në Kosovë më 26.10.2024. Foto: Zyra e Kryeministrit.

Von der Leyen për Trumpin: BE-ja do të jetë pragmatike, por do të mbrojë interesat e veta

Bashkimi Europian do të mbajë qëndrim “pragmatik” ndaj Administratës së re të presidentit amerikan, Donald Trump, porse “gjithnjë” do të jetë në gjendje gatishmërie për t’i mbrojtur interesat e veta kundrejt ndonjë mase të pajustifikueshme – ka deklaruar shefja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

Ajo e dha këtë deklaratë, më 21.01.2025, në një fjalim që ka përcaktuar tonin sesi Brukseli ka ndarë mendjen t’i qaset raportit me Uashingtonin në katër vjetët e ardhshme – raporton “Euronews.

Gjatë fushatës së tij, Trumpi “kishte kërcënuar” se do të vendoste tarifa për të gjitha mallrat e huaja dhe se do të rishikonte thelbësisht ndihmën për Ukrainën – duke alarmuar Kryeqytetet e vendeve anëtare të bllokut europian. Presidenti republikan i ka zbutur, megjithatë, kërcënimet me të marrë pushtetin.

“Shumë vihet në rrezik për të dy palët.” – ka deklaruar presidentja e Komisionit Europian në Forumin Ekonomik Botëror në Davos në Zvicër.

“Prioriteti ynë do të jetë përfshirja e hershme, diskutimi i interesave të përbashkëta dhe të jemi gati për negocim. Ne do të jemi pragmatikë, por ne gjithnjë do të mbrojmë parimet tona. T’i mbrojmë interesat dhe t’i ruajmë vlerat tona – kjo është mënyra europiane.” – ka shtuar ajo, duke iu referuar mjeteve tregtare që Komisioni Europian i ka në dispozicion për t’iu kundërvënë tarifave dhe kuotave.

Von der Leyen, e cila angazhohet për lidhje të fuqishme transatlantike, i ka përshkruar Shtetet e Bashkuara si “partnerët më të ngushtë” të BE-së me lidhje të ndërthurura thellësisht, prej investimeve dhe punësimit deri te prodhimi dhe shërbimet digjitale. Kjo, sipas saj, në vend të konfrontimit, do ta ndihmojë fuqizimin e bashkëpunimit.

“Nuk ka ekonomi tjera në botë që janë të integruara si tonat.” – ka theksuar ajo.

E pyetur nëse BE-ja mund t’i ofrojë përkrahje Ukrainës në rast të tërheqjes eventuale amerikane, Von der Leyen ka thënë se blloku do të vazhdojë mbështetjen “pa asnjë dyshim”.

“Çfarëdo që do të ndodhë, për ne është e rëndësishme që Ukraina të mbetet vend i pavarur dhe se është Ukraina ajo që vendos për territorin e saj.” – është përgjigjur ajo.

Fjalimi ka shënuar shfaqjen e parë të rëndësishme publike prej tërheqjes së saj për shkak të pneumonisë në fillim të janarit. Sëmundja e detyroi Komisionin që të anulonte të gjitha takimet e saj të jashtme dhe përkohësisht iu deleguan kompetencat zëvendësshefes ekzekutive, Teresa Ribera.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com