Von Der Leyen – Osmanit: Do të avokojmë për një vendim pozitiv të BE-së rreth liberalizimit të vizave për Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë një letër nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, me të cilën ajo e ka uruar për detyrën dhe ka theksuar se është shumë inkurajuese kur një grua shërben në pozitën e presidentes.

Sipas komunikatës së dërguar nga presidenca, Von Der Leyen ka shkruar se perspektiva kredibile e BE-së për Ballkanin Perëndimor mbetet prioritet i Komisionit Evropian, duke potencuar edhe pritshmërinë për një bashkëpunim në thellimin e marrëdhënieve me BE-në.

Ajo po ashtu theksoi rëndësinë e reformave dhe procesit të dialogut.

“Von Der Leyen, e ka potencuar rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, duke e konfirmuar angazhimin e Komisionit Evropian për avokim në drejtim të marrjes së një vendimi pozitiv nga ana e BE-së për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovë”, thuhet në komunikatën e presidencës dhënë për mediat në Kosovë.

Kosova vazhdon të jetë ende i vetmi vend në rajon që nuk e ka liberalizimin e vizave, ani pse liberalizimi është premtuar vazhdimisht nga politikanët.

Më 25 mars të këtij viti raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, ka bërë të ditur se shumica dërmuese e Parlamentit Evropian e ka mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën me rastin e votimit të raportit për Kosovën.

Në korrik të vitit 2020, edhe Komiteti për Punë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, i pati bërë thirrje Këshillit të Bashkimit Evropian, që të përmbushë premtimin ndaj Kosovës, për t’i siguruar liberalizimin e vizave.

Miratohet raporti për Kosovën, mbështetet liberalizimi i vizave