Albin Kurti dhe Ursula von der Leyen - Foto: ZKM
Von der Leyen i thërret në drekë pune liderët e Ballkanit, nga Kosova shkon Kurti
Me ftesë të presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, më 19.09.2024, liderët e Ballkanit Perëndimor do të marrin pjesë në një drekë pune në Bruksel.
Ky takim konsiderohet se vjen si shenjë e përkushtimit të saj për të mbështetur rajonin dhe procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian.
KALLXO.com mëson se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të marrë pjesë në këtë takim.
Megjithatë, nga Qeveria e Kosovës deri më tani nuk është bërë e ditur agjenda e diskutimeve e as pritshmeritë e Kosovës nga ky takim, ndonëse aty pritet të diskutohet edhe për Planin e Rritjes.
Ky plan do të mbulojë periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027 dhe pritet të ofrojë deri në 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi për gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor të BE-së në vitet e ardhshme.
Ndryshe nga katër shtetet e tjera të rajonit, më 07.05.2024, Kosovës dhe Serbisë u janë vënë parakushte shtesë në mënyrë që të përfitojnë nga 6 miliardë eurot e Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor – në kuadër të Pakos së Rritjes për të cilën Këshilli Europian dha dritën e gjelbër në mëngjesin e 7 majit 2024.
Kushti për të dy shtetet është i qartë: Prishtina dhe Beogradi duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive për progres të matshëm dhe rezultate të prekshme në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.
Konkretisht kërkohet normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve me synim të zbatimit të plotë të të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksi i Zbatimit të saj, si dhe i të gjitha marrëveshjeve të dialogut të kaluar.
Disa ditë më pas, më 30.05.2024, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka njoftuar se Kosova ka dërguar në Komisionin Europian draftin e narrativit dhe tabelën e plotë të dakorduar të agjendës së reformave mbi Planin e Rritjes.
Ai ka thënë se Kosova është vendi i parë në rajon i cili e ka përmbushur këtë hap dhe e ka dërguar këtë dokument.
Por, kushti që i është venë të dyja shteteve nuk duket lehtë i realizueshëm duke marrë parasysh faktin se kryeministri kosovar, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, u panë për herë të fundit në tavolinën e nivelit të lartë të dialogut Kosovë – Serbi në Bruksel, më 14 shtator 2023, takim i cili rezultoi pa ndonjë përparim.
Presidentja e rizgjedhur e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka paralajmëruar se në ekipin e saj të ri me mandat pesëvjeçar do të ketë një komisionar për zgjerim.
Ky post tashmë i është besuar sllovenes, Marta Kos.